“Duhet të shqetësohemi përse nuk i mbyllim ndeshjet”, Hysaj: E kemi në gjak të vuajmë

Shqipëria ka bërë detyrën mbrëmjen e sotme. Kuqezinjtë kanë mposhtur Letoninë me shifrat minimale 1-0 në “Air Albania”. Ndeshja u vendos nga Kristjan Asllani në minutën e 25. Një prekje e topit me dorë në zonë i dha mundësinë e një 11 metërshi Kombëtares shqiptare. Asllani u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhënë kështu tre pikë mjaft të vyera kuqezinjve. Pas përfundimit të takimit, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e “Super Sport”-it.

Hysaj: “Më shumë duhet të shqetësohemi se përse nuk i mbyllim ndeshjet. Po ne e kemi pak në gjak që të vuajmë pak, se pa vuajtje nuk na ecën mirë gjithçka. Unë këtu vij gjithmonë për të luajtur. Nëse trajneri zgjedh që unë të mos luaj, unë e respektoj. Ai është bosi i ekipit dhe çfarë vendos ai duhet ta respektojmë. Kemi nevojë që të flasim, sepse me Serbinë është një ndeshje që të gjithë duam ta luajmë. Të marrim sa më shumë minuta në klube dhe të jëmi gati për atë ndeshje”.

Laçi: “Nga minuta e parë e treguam dëshirën që duhet ta fitonim këtë ndeshje. Në pjesën e parë krijuam raste, por na mungoi finalizimi. Kemi folur me lojtarët që krosojnë topin se 5 lojtarë në zonë nuk është e lehtë për t’i çarë. Por jemi të kënaqur me paraqitjen tonë, sepse rastet i kemi krijuar. Shpresoj që të na vijë goli edhe me Serbinë. Në Serbi na pret një ndeshje shumë e vështirë. E kemi treguar në “Air Albania” se nuk e kemi frikë Serbinë. Duhet të përmirësojmë finalizimin”.

Bajrami: “Nuk kam luajtur shumë kohët e fundit, por për Kombëtaren jam gjithmonë gati. Ky ishte shansi im. Ndeshjen e fundit kur luajtëm jashtë, e bëmë analizën mirë. Rëndësi tani ka që të kthehemi në klube dhe të fokusohemi aty. Kur të thërritemi sërish në Kombëtare, duhet të japi gati dhe të japim 100%. Këto biseda i kam pasur edhe me trajnerin. Unë ndihem më mirë pas sulmuesit, por luaj edhe në krahë”./Sport Ekspres/