E pabesueshme, por e vërtetë. Partizani humbi me shifrat 4-1 një ndeshje që ishte në baraspeshë deri në minutën e 91-të. Të kuqtë kaluan të parët në epërsi në “Loro Boriçi” falë golit të shënuar nga Gudjufi në minutën e 26. Vetëm 10 minuta më vonë Balaj barazoi shifrat në 1-1, të cilat mbetën të pandryshuara deri në momentet e fundit të lojës.
Gjatë kohës së shtuar ndodhi ajo që më pak pritej. Balaj në minutën e 91-të, Hakaj në të 93-tën dhe Bismarku në minutën e 97 përmbysën Partizanin me rezultatin përfundimtar 4-1. Kjo është fitorja e dytë në po aq ndeshje për shkodranët, që tashmë udhëheqin përkohësisht tabelën e renditjes.
Martini (Vllaznia): “Mendoj që kemi shumë gjëra për të përmirësuar, sidomos në aspektin difensiv. Të vijë kundërshtari një herë në zonë dhe të shënojë… duhet të jemi më të përqendruar. Duhet të vrapojmë më shumë. Kisha dilemma. Ishin 3-4 lojtarë që nuk ishin në kondicionin e tyre. E dija që me këtë mënyrë loje do të prishja balancat në fazën defensive. Por me këto zgjedhje që kishim, ishte mënyra më e mirë e mundshme. Unë kam profesionistë, kam burra në formacion. Sot mund të fus njërin, nesër mund të fus tjetrin. Diferenca është e njëjtë”.
Milenkoviçi (Partizani): “Së pari, dua të përgëzoj Vllazninë për fitoren. Së dyti, dua t’i kërkoj falje tifozëve për këtë humbje. Kemi shënuar 1 gol në 3 ndeshje dhe për 5 minuta shkatërruam të gjithë ndeshjen. Nuk është mirë për lojtarët kur pësojnë në fund të ndeshjes, por kjo nuk do të thotë që duhet të dorëzohesh dhe ta lësh ndeshjen. Patën shumë raste për të shënuar. Në disa moente Hoxha ishte vendimtar. Ata bënë gjithçka që ne prisnim. Bënë ato gjëra të cilat ne i kemi përgatitur gjatë gjithë ndeshjes. Ky është pengu im më i madh. E dinim mënyrën se si do të luanin, nuk ishte një befasi”./Sport Ekspres/