Sezoni i ri ka gjetur një Juventus të shfrenuar. Pas atij derbi të jashtëzakonshëm kundër Interit, bardhezinjtë kanë bërë një tjetër çmenduri, por këtë herë në Champions League. “Zonja e Vjetër” është përballur me Borusian e Dortmundit në një sfidë për njerë me zemër të fortë, pasi emocionet kanë qenë të mëdha gjatë gjithë pjesës së dytë.
Verdhezinjtë gjetën të parët rrugën e rrjetës me anë të Adeyemi-t në minutën e 52-të. Vetëm 11 minuta më vonë Yildiz-i ktheu baraspeshën me një gol mbresëlënës nga distanca. Por festa e tij zgjati vetëm dy minuta, pasi Nmecha u kundërpërgjigj me një tjetër gol për notën 10.
Vlahovic-i gjeti rrugën e rrjetës në të 67-n, ndërsa Borusia ktheu rezultatin në favorin e saj me anë të Couto-s në minutën e 74-t të takimit. Vetëm 4 minuta nga fundi i lojës Bensebaini i dërgoi shifrat në 2-4, duke krijuar iluzionin se tashmë fati i sfidës ishte përcaktuar. Por Juventusi nuk u pajtua me humbjen dhe dëshmoi se nëse nuk dorëzohesh deri në sekondat e fundit, atëherë asgjë nuk ta ndal dot suksesin. Vlahovic-i në minutën e 4-t të shtesës dhe Kelly 2 minuta më vonë fiksuan shifrat përfundimtare në 4-4./Sport Ekspres/