Astrit Hafizi ishte i ftuar në emisionin “Arnaustan” që transmetohet në “MCN TV”. Hafizi ka folur sa i përket Kombëtares, duke prekur edhe temën e De Biazit. Hafizi ka pasur gjithmonë polemika me këtë trajner në të kaluarën, me stilin e tij të futbollit dhe sipas tij, Shqipëria po vuan ende stilin e De Biazit, të rezultateve të ardhura prej tij.
“Unë kam pasur gjithmonë rezervat e mia për De Biazin. Përse ne na vijnë gjithmonë trajnerë të huaj që janë pa punë dhe i fusim ne në punë? Përse nuk vijnë trajnerë të huaj që janë të punësuar diku dhe lënë një ekip apo Kombëtare tjetër, për të ardhur te ne? Unë kam pasur gjithmonë polemikat e mia dhe ndasinë time me De Biazin dhe shumë trajnerë të tjerë. Janë disa faktorë që ty mund të dërgojnë drejt një kualifikimi, bota kërkon lojën, prodhimin e rasteve pastaj rezultati.
Sepse ti mund të marrësh rezultatin, por varet sesi të ka ardhur. Të gjithë e dimë se cfarë ndodhi në Beograd në 2014 dhe si u kualifikuam më tutje pastaj. E kisha thënë që De Biazi nuk prodhon futboll, më vonë u shkarkua dhe sot po vuajmë futbollin e De Biazit. Ai na mësoi që të rrijmë gjithë kohën mbrapa dhe të presim ndonjë rast me kundërsulm për të futur gol. Prandaj kur De Biazi shkoi te Alaveshi e rrëzoi nga kategoria dhe më pas iku te Azerbajxhani që ishte 30 vënde poshtë nesh. Sot jemi duke vuajtur ende stilin e De Biazit, ai na mësoi të luajmë kështu.
Unë mendoj se Kombëtarja e ka brumin, por është problemi i trajnerit, i motivimit. Silvinjo nuk i njeh mirë vlerat e lojtarëve tanë, profilin e tyre. Nuk po flas vetëm për Brojën që e kalon në krahë, por edhe në mesfushë. Fut Asllanin, Shehun, Ramadanin, janë 3 lojtarë me të njëjtin profil, nuk mund të luash me dy ose tre prej tyre sepse janë e njëjta gjë, fut vetëm njërin, Asllanin në këtë rast dhe dy të tjerët të jenë mesfushorë që të mendojnë më shumë për sulmin, jo 3 mesfushë që shkatërrojnë”, tha Hafizi. /Sport Ekspres/