Kombëtarja U-15 për vajza e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme turneun “UEFA Development”, duke triumfuar me rezultatin e pastër 4-0 ndaj Moldavisë, në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit”.
Skuadra kuqezi, e drejtuar nga trajnerja Rabie Tota, shkëlqeu në fushë, duke dominuar ndeshjen dhe duke siguruar një fitore shumë të merituar falë golave të shënuar nga Bajraktari (2), Çobo dhe T. Hasanaj.
Trajnerja Tota hodhi në fushë këtë formacion: Tota, E. Hasanaj, T. Hasanaj, Kore, Gjoni, Demushi, Selmani, Bajraktari; Hoxha; Berisha, Mezini.
Kuqezezat e nisën ndeshjen me shumë intensitet, duke krijuar raste që në minutat e para. Avantazhi erdhi në minutën e 24-të, kur Bajraktari realizoi golin e parë. Në pjesën e dytë, pas disa zëvendësimeve nga trajnerja Tota, skuadra shtoi ritmin dhe shënoi edhe tre gola të tjera me autore sërish Bajraktarin, Çobon dhe Hasanajn.
Në takimin tjetër të grupit, i zhvilluar po ditën e sotme në “Shtëpinë e Futbollit”, Kosova barazoi 2-2 me Estoninë.
Shqipëria U-15 për vajza do të luajë ndeshjen e radhës të premten kundër Estonisë, në “Shtëpinë e Futbollit”, duke nisur nga ora 15:00. Takimi do të transmetohet drejtpërdrejt në FSHF TV.