Serbi-Shqipëri po afron dhe ndeshja këtë herë do të jetë shumë e ndezur. Jo vetëm për historinë e ndodhur në Beograd përpara disa vitesh, por njëkohësisht edhe për vetë rëndësinë e këtij takimi. Kombëtarja që do të fitojë këtë takim do të renditet pas Anglisë në vendin e dytë dhe me shumë gjasa do të marrë biletën e Play Off në Botëror.
Në herën e parë që shkuam në Europianin e Francës, një dorë e madhe na erdhi nga Ballist Morina. Ai dron krenarie i ngritur në Beograd pasoi me fitoren e FSHF kundër Serbisë në tryezë pas një kalvari dokumentacionesh dhe në fund arritëm të fitonim në shifrat 0-3 dhe shkuam në Europian.
A mund të shkojmë në të njëjtën mënyrë të paktën, në Play Off-in e Botërorit? Diçka e madhe mund të ndodh sërish, këtë herë në Leskovac, atje ku është lënë ndeshja Serbi-Shqipëri. Ballist Morina ka filluar numërimin mbrapsht në profilin e tij në Facebook për ndeshjen Serbi-Shqipëri, duke paralajmëruar se diçka do të ndodh.
Të shumta janë hipotezat dhe mendimet që vijnë në kokë, teksa ideja e parë është përsëritja e një tjetër skenë si me dronin në Beograd, por këtë herë jo me dron, por me një ide tjetër gjeniale. Një tjetër ide është ajo e luajtjes së bllofit nga Ballist Morina për t’i mbajtur serbët në panik gjithë kohën për përsëritjen e një tjetër skene si në Beograd, çka do të tensiononte shumë atmosferën e tyre duke na dhënë një favorizim sado të vogël.
Sigurisht që edhe një gjetje rruge kalimi për në Leskovac duke qenë afër me Prishtinën, pra vetëm prania e Ballist Morinës në atë vend, do të ishte një turpërim i madh për Serbinë, pa shkuar në një plan tjetër që mund të shpaloste diçka në stadium. Të gjithë janë kureshtarë që të shohin se çfarë do të ndodh në Leskovac dhe nëse do të ketë një tjetër befasi të tmerrshme për Serbinë, por në të gjitha rastet, ankthi dhe paniku i kundërshtarëve tanë është rritur ndjeshëm me afrimin e datës së ndeshjes. Nëse Shqipëria do të fitonte përsëri në tavolinë kundër Serbisë për një plan të krijuar nga Ballist Morina, ky i fundit meritonte padyshim një bust në Tiranë. Këtë herë puna do të jetë më e vështirë pasi masat janë më të rrepta dhe ndeshja është dërguar në Leskovac pikërisht për arsyen e një organizimi më strikt. /Sport Ekspres/