Ekskluzive/ U dëmtua dhe doli nga fusha! Mësohet nëse Arbër Hoxha do të jetë ndaj Serbisë, flet edhe trajneri: Unë nuk e lashë të largohej

Arbër Hoxha ndodhet në një formë të jashtëzakonshme në Kroaci. Futbollisti shqiptar ka realizuar një tjetër gol madhështor në ditën e djeshme në kampionat, ndërsa më parë kishte realizuar ndaj Hajdukut në derbi dhe shkëlqeu duke qenë ylli i ndeshjes ndaj Fenerbahces.
Por një lajm në mediat kroate ka shtangur tifozët shqiptar. Hoxha u largua nga fusha në pjesën e dytë pasi shënoi dhe asistoi ditën e djeshme brenda 45 minutave për shkak të një problemi.

Në mediat kroate u tha se nuk dihet sesa ditë do të qëndrojë Hoxha jashtë fushës së blertë, në një kohë që ndeshja me Serbinë është pas dy javësh. Megjithatë Sport Ekspres ka mësuar se për fat të mirë, Arbër Hoxha nuk ka asgjë serioze. Lojtari i Kombëtares ka vetëm probleme muskulore dhe do të qëndrojë për dy ditë duke bërë disa terapi qetësuese dhe më pas do të rikthehet sërish në stërvitje. Një dëmtim muskulor që lidhet me minutat e plota dhe ngarkesën e plot që ka marrë Arbër Hoxha në këtë moment, për ndeshje radhazi, ndryshe nga më parë që aktivizohej për pak minuta në pjesën e dytë.

Ndërkohë trajneri i Dinamo Zagrebit, Kovacevic, ka folur fjalët më të mira për Hoxhën në konferencën për shtyp. “Hoxha po bën mirë, kur erdha unë këtu ishte pyetja nëse do të largohej apo do të qëndronte. Sa arrita unë, i thashë që do të luante. Tani ai po bën atë që unë prisja prej tij. Jam i lumtur që ka këtë formë kaq të mirë dhe uroj që të mos ketë një dëmtim serioz”, tha trajneri menjëherë pas ndeshjes, por më pas sipas informacioneve tona është vërtetuar se Hoxha nuk ka asnjë problem serioz. /Sport Ekspres/