Arbër Hoxha është fjala e momentit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kroaci. Lojtari shqiptar po performon në nivelet më të larta, teksa në ndeshjen e fundit ka shënuar dhe asistuar brenda 45 minutash në kampionat, ndërsa më herët, ishte ylli i ndeshjes kundër Fenerbahces.
Fjalët më të mira po vijnë për të nga e gjitha Kroacia, por një deklaratë e fundit e trajnerit të Hull, Sergej Jakirovic, ishte padyshim befasuese. Aktualisht Jakirovic është trajneri i Hull në Championship në Angli dhe nuk e fshehu prapaskenën që e dëshironte Hoxhën në Angli, por transferimi nuk u arrit për probleme burokratike. I pyetur nga mediat kroate në lidhje me këtë super formë të Hoxhës, Jakirovic tha:
“Çfarëdo që të them për Arbrin është kotësi fjalësh për mua gjithsesi, sepse e njoh shumë mirë atë djalë dhe ai erdhi te Dinamo Zagreb me iniciativën time. Sa herë më kanë tallur kur e kam quajtur raketë dhe e di shumë mirë çfarë kam thënë dhe qëndroj pas çdo fjale. Ai është një sulmues krahu i vërtetë, vertikal, agresiv, i shpejtë, i drejtpërdrejtë dhe me një gjuajtje të shkëlqyer, me të cilën mund të zgjidhë çdo situatë në të cilën ndodhet.
Në çdo bisedë ishim sa më të ndershëm dhe të hapur dhe ai ka cilësitë e një atleti të vërtetë. Duhet të theksoj gjithashtu se ai vetë kishte një dëshirë të madhe për të ardhur te Dinamo, kështu që më tha se do të vinte për përgatitje sido që të ishte dhe do të nënshkruante çdo gjë, vetëm për t’u bërë lojtari ynë. Do të doja të theksoja faktin se një pjesë e madhe e punës u bë nga z. Robert Markulin nga Slaven Belupo, të cilin dua ta falënderoj, sepse Dinamo sot ka një lojtar kaq të karaktershëm dhe të shkëlqyer.
Unë personalisht doja ta sillja Arbërin te Hull këtë verë, por u penguam nga embargoja dhe, duke pasur parasysh kontratën e tij ekzistuese me Dinamon, ai nuk mundi të vinte. Kjo tregon mjaftueshëm se çfarë mendoj për të”, tha trajneri i Hull. /Sport Ekspres/