E nisi futbollin në moshën 60-vjeçare, Gëzim Jatagani sfidon Silvinjon në penallti: Të shohim kush fiton, Ziko i Brazilit apo i Shqipërisë

Gëzim Jatagani është një histori e rrallë në Shqipëri dhe që me siguri, nuk e ka një të dytë. Në moshën 72-vjeçare, fiziku i tij është për t’u admiruar, po aq sa edhe disiplina me pasionin me të cilin stërvitet rregullisht prej disa vitesh. Nëse gjithmonë kemi dëgjuar histori se një lojtar i caktuar e nisi futbollin në moshë 20-vjeçare dhe habiteshim se ishte shumë vonë, Jatagani tregon se koha përcaktohet nga vetë ne dhe se rregullat, janë bërë për t’u thyer. Ai e ka nisur stërvitjen në Berat në mënyrë të rregullt në moshën 60-vjeçare. Në një kronikë të gjatë në emisionin “Hotspot” në A2CNN me gazetarin Armend Pire, Jatagani ka rrëfyer gjithë historinë e tij të pazakontë, po ashtu si edhe lëvizjet dhe aftësitë e tij me topin.

“Dëshira për futbollin më ka lindur që fëmijë, teksa luanim me shokët në lagje. Asokohe nuk kisha mundësi të shkoja në ndonjë ekip moshash pasi koha ishte e tillë. Më vonë shkova ushtar dhe pas ushtrisë u detyrova të hyj në punë pasi nga ekonomia ishim shumë dobët. Duhet të punoja shumë. Gjatë gjithë këtyre viteve nuk m’u krijua asnjë mundësi për të provuar veten në ndonjë ekip dhe kështu pasioni për futboll mbeti gjithmonë i pazhvilluar.

Për shumë vite shkova në emigrim në Greqi. As atje nuk kisha mundësi të luaja futboll pasi shkova të punoja. U ktheva nga emigrimi rreth moshës 60 vjeç, u ktheva në Berat. As top nuk kisha atëherë, ma dhuroi dikush një top të vogël dhe nisa të stërvitem sërish. Më shihnin moshatarët e mi, më paragjykonin, thoshin: Po ky në pleqeri do të luajë futboll? Por unë nuk i dëgjoja. Vazhdoja stërvitesha.

Idhulli im është Lorik Cana. Ka qenë lojtar me disiplinë. Kam dëshirë ta takoj, pasi vetëm një herë kam bërë foto me të. Edhe me Silvinjon kam një foto dhe kam dashur ta sfidoj në gjuajtjet e penalltive. Për të parë kush është më i mirë, Ziko i Brazilit apo ‘Ziko’ i Shqipërisë, pra unë. Te Kombëtarja penalltitë duhet t’i gjuaj Asllani dhe Broja, pasi kanë teknikë të veçantë. E kam ëndërr të jem pranë Kombëtares, ta shoh në stadium po pse edhe mos të jem në ekip për këshilla”, tha Jatagani. /Sport Ekspres/