Presidenti Duka merr pjesë në ceremoninë e dekorimit të Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, në Prishtinë

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, zhvilloi ditën e sotme një vizitë zyrtare në Prishtinë, në kuadër të ceremonisë së dekorimit me medalje nderi nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në këtë ceremoni të veçantë mori pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, futbollistë të përfaqësueses së Kosovës, legjenda të futbollit, personalitete të njohura të sportit, gazetarë dhe të ftuar të tjerë.

Gjatë ceremonisë, Presidentja Osmani dekoroi Presidentin Infantino me medalje nderi për kontributin e dhënë në anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e futbollit në vend.

Në fjalën e tij, Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, u shpreh se ky është një nder dhe privilegj i madh për të, duke ia dedikuar këtë vlerësim popullit të Kosovës dhe Presidentit historik të FFK-së, Fadil Vokrrit.