“Shqipëria ka armët dhe cilësitë për ta mundur Serbinë”, De Biazi tregon formulën për të dalë me 3 pikët nga Leskovci

Më 11 tetor, 11 vite pas asaj mbrëmjeje ku në Beograd sporti kaloi në plan të dytë, Serbia do të përballet sërish me Shqipërinë. Këtë herë jo në Beograd, por në Leskovc. Xhani De Biazi, trajneri që udhëhoqi kuqezinjtë 11 vite më parë, beson se Shqipëria ka mundësinë të dalë me tre pikë nga kjo transfertë. Në një intervistë për “RTSH”-në, trajneri italian ka deklaruar se shanset për një fitore të kuqezinjve janë të larta.

“Duhet të kemi parasysh se rezultati do të ndikojë te rrugëtimi dhe e ardhmja e të dyja përfaqësueseve. Skuadra që del e humbur nga kjo përballje me gjasa është jashtë Botërorit. Mendoj se Shqipëria i ka të gjitha armët, cilësitë për ta mundur Serbinë. Shanset janë të larta. Serbia nuk ka bërë lojëra shumë të mira sivjet. Nëse ne mbajmë ritëm të lartë dhe sulmojmë vazhdimisht, mund t’i vendosim në vështirësi të mëdha”, është shprehur Xhani De Biazi./Sport Ekspres/