Shqipëria do të përballet në mbrëmjen e nesërme kundër Serbisë. Një ndeshje e cila do të luhet në orën 20:45 dhe do të vendos shumë sa i përket vendit të dytë në grupin tonë. Ndërkohë para këtij takimi, në konferencën për shtyp ishte trajneri Silvinjo dhe Elseid Hysaj. Në fillim ai që foli ishte Elsi Hysaj, ku tregoi se djemtë tanë janë gati për këtë finale të madhe.
“Për mua emocionalisht është e njëjta gjë si në 2014, po e përjetoj shumë emocionalisht edhe tani dhe mezi po pres të futem në fushë nesër. Këto masa sigurie kanë qenë edhe herën e kaluar, e kanë për sigurinë e tyre më shumë, por na jep më shumë karikim për nesër.
Të gjithë lojtarët e kanë parë vetë dhe e kanë kuptuar sesi është kjo ndeshje nesër, panë çdo gjë nga hoteli kur dolëm deri këtu kur erdhëm. Ne kemi ardhur këtu për fitore, as për barazim as për humbje, nuk na dalin as 100%, duhet të japim 120%”, tha Hysaj.
Ndërkohë menjëherë pas tij, Silvinjo tha: “Ndeshja më e rëndësishme e karrierës time kundër Serbisë? është gjithmonë ndeshja e radhës, po për tani, është Serbia. Më përpara ishte Letonia. Po të mos fitonim me Letoninë, kishim mbyllur punët me kualifikimin dhe nuk do ishim në garë kundër Serbisë.
Unë kam shumë besim te lojtarët e mi, kemi bërë një stërvitje të nivelit të lartë. Po mund të them se ndeshja nesër është shumë emblematike. Frikë nga shkarkimi? E ardhmja ime varet nga unë, kam qenë te Barcelona, Arsenal, Brazili, kam qenë kudo dhe tani jam shumë i lumtur që jam te Shqipëria.
Kjo është puna jonë, sot jemi këtu dhe nesër diku tjetër, nuk jemi të përjetshëm. Por mund t’iu them se nuk ka vetëm Serbia lojtarët e fortë, dhe unë kam lojtarë shumë të fortë, kam Asanin, Broja, Hoxhën, Dakun, kemi shumë lojtarë të fortë. Kombëtarja nuk është klub, është histori tjetër. Ka lojtarë që në klube bëjnë shumë mirë, por kur vijnë këtu, nuk performojnë dot si në klub. Pastaj ka lojtarë të tjerë që në klube nuk bëjnë mirë, por kur vijnë në Kombëtare shkëlqejnë. Nesër do të futemi me shpirtin dhe pasionin për të dhënë gjithcka në fushë, pastaj mbetet të shihet, futbolli nuk ka asnjëherë siguri”, tha Silvinjo. /Sport Ekspres/