Presidenti i Skënderbeut iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, klubi njofton publikun për gjendjen shëndetësore të Takajt

Presidenti i Skënderbeut i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale së fundmi. Ardjan Takaj ndjeu shqetësime shëndetësore pasditen e së dielës pas ndeshjes kundër Dinamos. Presidenti i klubit korçar u transportua drejt Tiranës, ku kreu një ndërhyrje kirurgjikale në zemër.

Mëngjesin e sotëm ka ardhur një komunikim zyrtar edhe nga klubi Skënderbeu, përmes faqes zyrtare në “Facebook”. Me anë të këtij njoftimi bëhet me dije se presidenti Takaj e ka kaluar me sukses ndërhyrjen mjekësore dhe se nuk paraqitet asnjë rrezik për shëndetin e tij.

“Sqarim për opinionin publik. Për shkak të disa komplikacioneve shëndetësore, presidenti i Skënderbeut Ardjan Takaj i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale e cila ka rezultuar me sukses.

Situata është normale dhe nuk paraqitet asnjë rrezik për presidentin. Familja Takaj shpreh mirënjohje për gjithë mesazhet inkurajuese. Para Skënderbe”, ka njoftuar klubi Skënderbeu./Sport Ekspres/