Më poshtë gjeni notat e bëra nga “Sport Ekspres” për lojtarët e Shqipërisë kundër Serbisë
Strakosha (6.5): “Një ndeshje e qetë për Strakoshën, më e qetë nga çfarë pritje. Sa herë që thirret në apel është aty, pret gjithçka duhej dhe jep qetësi. Topi i thithur në duart e tij në aksionin e fundit ishte si një gol i shënuar, çliron të gjithë shqiptarët”.
Mario Mitaj (7.5): “Super lojtar! Na shpëton nga dy raste të rrezikshme goli. I pakalueshëm në prapavijë dhe një qetësi e frikshme në mbajtjen e topit. Nuk tensionohet as në stadiumin e Serbisë, mes 3 apo 4 lojtarëve të Serbisë, del gjithmonë me topin në këmbë”.
Berat Gjimshiti (7): “Vlahovic e kalon në një moment që jep shkëndijën e parë për Serbinë. Më pas i merr të gjithë masat duke fituar thuajse çdo duel kundër sulmuesve të Serbisë. Pafund topa të hequr nga zona”.
Arlind Ajeti (6.5): “është siguri e madhe në prapavijën e Shqipërisë. Sa herë thirret në detyrë, është aty për të qetësuar shpirtin e tifozëve të Kombëtares. Por vitet po kalojnë dhe Ajeti i sotëm nuk mund të jetë njësoj me Ajetin e pathyeshëm të Europianit të Francës. Ashtu si kundër Anglisë në transfertë ku zhvilloi një ndeshje ideale dhe gaboi në një moment që Kane shënoi, ndodhi edhe me Serbinë, por për fat të mirë pa gol. Dy ishin rastet e pafalshme të humbur nga Serbia nga Vlahovic kundër Shqipërisë dhe në të dyja herët, ishte Ajeti që e humbi Vlahovic. Këtë herë ishte fati me ne”.
Elseid Hysaj (7): “Një ndeshje e mirë e Elseid Hysajt. Problemi i këtij lojtari është mendjemadhësia. Sa herë luante në ekip, Hysaj paraqitej shumë dobët te Shqipëria. Që në momentin kur Hysaj nuk po luan më në ekip, ka nxjerrë ndeshje fenomenale me Kombëtaren. Serbia e ndez shumë këtë lojtar, një tjetër mbrëmje e madhe për të”.
Qazim Laçi (7): “Ndoshta nuk është ai mesfushori i bukur që të gjithë kërkojnë të shohin, por është ai mesfushori që shndërrohet në luan dhe lufton për çdo top. Fanella e Kombëtares peshon rëndë mbi trupin e tij dhe nga shpirti që tregon në fushë, Silvinjo nuk e zëvendëson kurrë”.
Kristjan Asllani (7.5): “Ka klas në këmbët e tij dhe kjo është e padiskutueshme. Por i mungon ende diçka, një pasim i fundit më i mirë dhe një gjuajtje më e mirë drejt portës. Shpeshherë dhuron art nga këmbët e tij dhe në më pak raste, bën zgjidhje që janë për t’u harruar. Në përgjithësi ishte një ndeshje në lartësinë e duhur”.
Julian Shehu (8.5): “Lojtari i ndeshjes! Shehu ishte niveli tjetër kundër Serbisë. Në ajër dhe në tokë, mbizotëronte vetëm Julian Shehu. Nëse lojtarët e Serbisë vijnë nga ekipe të mira, atëherë Julian Shehu dukej sikur të luante te Barcelona për ta, pavarësisht se ndodhet në një ekip polak. Dominon ritmin e mesfushës dhe të lë pa fjalë niveli që mban gjatë gjithë ndeshjes. Sa për ta kujtuar, deri para 3 vitesh, Shehu luante te Laci”.
Myrto Uzuni (8): “Myrto Uzuni është vetëm për t’u duartrokitur, mes më të mirëve të ndeshjes. Edhe sikur për 7 jetë të luante për Shqipërinë dhe të mos shënonte gol, për 7 jetë meriton të luajë titullar dhe të mos hiqet nga fusha. Nuk dihet se kush ka hequr më shumë topa në mbrojtjen e krahut të majtë, Uzuni apo Mitaj? Nuk dihet se kush ka hequr më shumë topa në krahun e djathtë, Uzuni apo Hysaj? Ishte kudo, vraponte si i çmendur dhe nuk u lodh kurrë. Një përgatitje fizike e nivelit të lartë, por në ndeshjen kundër Serbisë, Uzuni jep një leksion të pastër për të gjithë të tjerët sesi duhet të luash për Kombëtare, goli nuk ka gjithmonë rëndësi”.
Armando Broja (6.5): “Nuk ishte as kjo mbrëmja e Brojës, por këtë herë falet gjithcka. është ende aty me shkëndijat e tij duke e lënë mbrapa disa herë Pavlovic, por në disa raste nuk gjen kohën e duhur për të ndarë topin nga këmba dhe në të tjera nuk llogaritë mirë fuqinë e largimit të topit. I mungon goli për të shpërthyer ashtu siç duhet”.
Rei Manaj (8): “Zoti ekziston, ai vendos edhe për fatet e një ndeshje futbolli kaq të rëndësishme. Manaj humbet penalltinë dhe merr gjithë kritikat e sharjet e tifozëve, Manaj kthehet në Serbi dhe shënon golin e fitores. Dhe si për ta bërë si një skenar të bukur filmi, Bajrami humb rastin e pastër në fund duke lënë të vlefshëm vetëm golin e Manajt, 0-1. Një dëshmi sesa shpejt ndryshon koha dhe jeta, dje tradhtar, sot Manaj është heroi. Jo vetëm goli, fitoi pafundësisht duele duke shpenzuar energji mes tre mbrojtësave të Serbisë. Ndeshja më e mirë në karrierën e Manajt me fanellën e Shqipërisë”