Nga Gert Carcani
I nderuar zoti Ministër!
Së pari, të falendoj sinqerisht për reagimin tuaj të menjehershëm për shqetësime bazike në lidhje me trajtimin e sportistëve të nivelit të lartë, në raspekt të ligjeve dhe VKM-ve të këtij shteti, në shërbim të tyre, duke shpresuar sado pak që ato sportistë të kenë gjetur shpresë e qartësi, si dhe besim absolut te ju për hallet që kanë, për të evituar sa më shpejt hemoragjinë drejt dyerve të gjykatave.
Nuk kam asnjë qasje të replikoj për “anti-gazetarinë” që ju artikuloni në replikën tuaj, pasi gjykoj që i ke dhënë përgjigje, në një mënyrë, apo tjetër, por me versionin tuaj, disa pyetjeve (jo konstatimeve, e aq më tepër akuzave që presupozoni) që kisha përcjellë në shkrimin e djeshëm. Sidoqoftë, në vazhdën e një dialogu në distancë, duke mos më dhënë mundësinë asnjë herë, për një komunikim publik live, të kërkuar që nga dita 1 që u ngarkuat t’i shërbenit edhe sportit, vazhdojmë të dialogojmë sërish dhe në distancë. Këtë radhë, i shtyrë më shumë prej jush, por kurrsesi me ritmin tuaj dhe mllefin përkatës që ju trazoi apo ju zbukuroi sado pak ëeekendin. Me të njëjtin standart, duke vijuar sërish me pyetje, sepse në fund të fundit, kjo është puna ime të pyes, apo jo i nderuar ministër? Kur ju nuk ma jepni këtë mundësi, atëherë dialogojmë në aksin zyrë-zyrë. Atëherë, z.ministër:
1. Cilët sportistë elitarë me medalje të fituara nuk janë paguar ende nga shteti, dhe a keni një arsye për këtë vendim?
2. A ka dhënë një spjegim administrata juaj, për këta sportistë që më pas janë detyruar të hapin process gjyqësor në gjykatë?
3. Si argumentohet fakti zoti ministër, që një sportisti medalier i refuzohet shpërblimi me argumentin se ke thyer një rekord europian, por e ke thyer në Botëror dhe s’të takon shpërblim sepse duhej ta thyeje në Europian, jo në Botëror. (ka shkresë zyrtare për këtë, jo në kohën kur ishit ju ministër linje)
4. Po kështu, si e argumentoni ju z.ministër refuzimin e dhënies së shpërblimit për një thyerje rekordi ballkanik, por që ky rekord është thyer në Europian? Duke qenë rekord i njohur nga Federata Ballkanike dhe ajo shqiptare njëherësh?
5. A është e vërtetë z.ministër, që shpërblimet e e vitit 2025 të shtangistes Enkileda Carja nuk janë dhënë dhe janë ende në process gjyqësor në Gjykatë? A i keni dhënë një arsyetim sportistes, se pse nuk i takojnë këto para, që ajo më pas ka trokitur në gjykatë? Po kështu edhe për medaljet e vitit 2026?
6. A është e vërtetë z.ministër që shteti nuk ka disbursuar paratë për 25 medalje të fituara në vitin 2025 nga sportistët e Kick-Boxing në Botëror, Europian dhe kampionat Ballkanik? Pse nuk janë dhënë ato fonde, për këta sportistë? Për çfarë motivi?
7. Po kështu edhe kick-boxingu ka shfaqur të njëjtën argumentim të marrë prej jush: Nuk ju takojnë lekë, sepse rekordi i Ballkanit thyhet vetëm në Ballkan, jo në Europë? Eshtë e përcaktuar kjo si kriter në VKM përkatëse z.ministër, që ju e përdorni si argument ligjor për refuzimin e të ardhurave të shpërblimeve medaliere?
8. A keni një angazhim tuajin personal që shteti dhe ministria juaj do të zgjidhë përfundimisht problemin e dhënies së parave të sportistëve me medaljet e fituara, duke evituar edhe proceset gjyqësore, edhe këto që janë aktualisht në gjykatë?
9. Zoti ministër, t’ju pyes pak për atë që ju e quajtët “hip se të vrava, zbrit se të vrava”, eventin ndërkombëtar universitar.
A ka bërë ministria transparencë për 170 milionë lekët e akorduara nga buxheti I shtetit për një event ndërkombëtar të sportit universitar? Dhe për cfarë janë përdorur këto para publike?
10. Po për këtë event universitar jeni në dijeni z.ministër që cdo sportist pjesëmarrës nga cdo shtet I botës ka paguar një Fee (taksë pjesëmarrjeje) prej mbi 400 eurosh, me mbi 1500 e kusur sportistë, shuma totale del vetë besoj…
11. Për fizionominë tuaj për sportin e turizmin bashkë është normale z.ministër të alokoni 170 milionë lekë para publike, kur vetë eventi prodhon të ardhura, por përtej kësaj, a keni kërkuar realisht se cfarë është bërë me këto fonde? Kryesisht me ato që ministria juaj akordoi? Si janë përdorur? Dhe ku janë përdorur?
12. A ju duket krejtësisht e drejtë dhe tërësisht normale që shteti të lërë pa financim, lojërat mesdhetare, ato olimpike dimërore, apo lojërat olimpike të Parisit (jo në të gjitha ishit ju), dhe të akordojë me lehtësi 17 milionë lekë të reja për një event universitar që prodhoi edhe vetë të ardhura?
13. A keni një situacion të parave publike z.ministër për këtë event sportiv ndërkombëtar kur ka patur shumë ankesa për kushtet e sportistëve që paguan, por edhe te federatave që nuk kanë marrë pagesat për shërbimin e dhënë? Gaboj nëse them që duhet një transparencë publike për paratë publike?
14. Po ju pyes sërish sot I nderuar ministër: A ka rritje buxheti vjetor për 2027-tën i federatave sportive, në krahasim me vjet? Eshtë po aq, është më I ulët, apo më i lartë?
15. A duhet të kenë pritshmëri federatat sportive që vitin 2027 do të marrin pak më shumë buxhet?
16. A do të alokojë shteti fond z.ministër, për përgatitjen e sportistëve për të siguruar normën olimpike, e ku natyrisht federatat kërkojnë këtë mbështetje për trajnimin e sportistëve që do garojnë për të fituar këtë të drejtë?
17. A do të alokohet fond shtesë, sic edhe u kërkua në aktin normativ të rrëzuar të muajit korrik, për FSHF, për organizimin e Europianit U-21, si dhe Samitit Botëror të Futbollit?
18. Dhe në mbyllje zoti ministër, a keni një afat projeksioni për kalimin në Qeveri dhe më pas në Kuvend, për draftin e Ligjit të Sponsorizimit, aq shumë të kërkuar nga sporti e kryesisht nga futbolli?
19. A keni nje informacion edhe per ligjin e basteve online, ku natyrisht edhe aty sporti, kultura dhe inovacioni do kenë akses financimi. C’po ndodh me to dhe kur nis procesi?
Zoti Ministër!
Kjo ishte replika ime, ose në versionin tuaj “anti-gazetaria” ime. Sic pyeta dje, vazhdoj të të pyes edhe sot. Dhe do të vazhdoj përherë. Ju siguroj për këtë! Sepse kjo është puna ime!
Eshtë shumë e kollajtë Blend, të atakoni e merreni me gazetaret, duke kuptuar fare thjeshtë që mund të jetë shumë më e vështirë ta keni përballë atë. Dhe këtu, nuk i referohem vetëm vetes.
Unë përsëri pyeta, sic bëra edhe dje xhanëm, pyetje të cilat JU i nderuar ministër, m’i konvertuat në akuza, por që gjithsesi në fund vlejti, vetëm një gjë: Që ju, në një mënyrë apo tjetër e shembët sado pak murrin e madh të errësirës dhe mungesës së transparencës që ka kapluar administratën e sportit nën hijen tënde!
Unë këtu jam, vazhdoj t’ju pres, edhe pse kam perceptuar që më shpejt do më përgjigjet për një intervistë, zyra Ovale, se sa ju.
Por, në mungesë të kësaj, në cdo moment, me shumë kënaqësi ne mund të DIALOGOJMË në distancë!
Dialog, Dialog, Dialog!
Punë të mbarë zoti ministër!
Dhe lexojeni kritikën e medias, jo si sport taekvondoje, por si adrenalinë elitare, partnere dhe aks transparencë-bërjeje!