“Fusnin nga dy topa në fushë”! Zyrtari i Dinamos: Në Shkodër dikur gjuanin me portokalle, tani të gjuajnë me bidona, donim mikëpritje

Vllaznia-Dinamo u komentua gjatë për atë që prodhoi ndeshja, por shumë edhe për deklaratat përpara takimit. I ftuar në “Skaner” që transmetohet në “MCN TV”, zyrtari i Dinamos, Ermal Barushi ka treguar befasinë e tij për atë që ndodhi në Shkodër dhe mënyrën sesi e panë te Dinamo këtë takim.

“Në thelb, kjo ndeshja u gatua kështu nga Martini. Ne kemi raport të mirë dhe ngelëm të habitur. Një trysni e krijuar një ditë përpara, se cila ishte arsyeja se përse, unë nuk e di. Ai mori një reagim edhe nga Egnatia një ditë para ndeshje, gjërat ishin të lidhura, por ne nuk i dhamë përgjigje prapë dhe shkuam në Shkodër për të luajtur futboll.
Dikur në Shkodër na gjuanin me portokalle, dje gjuanin me bidona. Gjithë kohën trajneri ynë ishte i provokuar, ne shkuam për të luajtur futboll. Dhe Daja nuk e ofendoi Martinin dhe as Vllazninë, por mikëpritja që duhet të bëjë ai klub me atë emër që ka, nuk e di, ata hiqnin edhe topin, fusnin nga dy topa në fushë”, tha Barushi. /Sport Ekspres/