Nga Klaudio Ndreca
Dikur në rrugët e Beratit, një djalë vraponte çdo mëngjes me hundën e skuqur dhe buzët e ngrira, duke mbartur me vete një endërr të madhe që i çonte zemrën peshë dhe i jepte energji këmbëve që të mos ndalonin. Në shtëpi, vaktet nuk ishin gjithmonë të plota, por Myrto kishte parë mjaft vuajtje në kohën e fëmijërisë, nuk dëshironte të jetonte përgjithmonë kështu: “Kjo nuk është jeta ime, nuk do ta mbyll kështu”, tha me vete djaloshi shqiptar që ishte gati të rrezikonte: “Të gjitha ose asgjë”.
Si një lojë pokeri ku pa i parë dhe i hapur ende letrat, shkohet menjëherë në “All In”. Vetëm se këtë herë nuk kishte asgjë për të humbur, më keq nuk mund të shkonte, kurioziteti dhe padurimi për të pritur hapjen e letrave të së ardhmes e shtynte Uzunin për të besuar fort tek to, do të ishin më të mira sesa e kaluara e tij. Ai kërkonte vetëm që ato të hapeshin sa më shpejt, nuk priste dot më gjatë me pengesat që e kishin lidhur kokë e këmbë.
A ekziston Zoti, a të dëgjon ai? Nuk duhet me patjetër që dikush të ndërrojë jetë për të kuptuar se një fuqi hyjnore ndodhet aty për të rregulluar gjërat sipas planit të përcaktuar, Myrto Uzuni e ka parë, me sytë e tij. E ka parë në varfërinë ekstreme në Uznovë dhe e ka parë tani kur jeta i ka ndryshuar 360 gradë, me një kontratë që i siguron të harrojë përgjithmonë të shkuarën e keqe në Amerikë. Nuk duhej të hidhte llotarinë për të pritur siç mund të kishte imagjinuar kur ishte i vogël, ishte Amerika që e kërkoi, pa llotari, por që e përzgjodhi për të dhënë kontributin e tij. Sa larg kishte shkuar fantazia!
Në një nga ditët e zymta të Beratit kur Myrto ishte ende i vogël, në Tiranë do të zhvillohej një turneu ku do të përzgjidheshin lojtarët më të mirë. E dinte se babai nuk e kishte mundësinë ekonomike për ta dërguar me autobuz në Tiranë, vetëm 5 mijë lekë të vjetra. Shkoi menjëherë për t’u kyçur në dhomën e tij teksa babai i pafuqishëm nga borxhet e shumta, nuk mund të merrte dot edhe një 5 mijë lekshe më shumë, askush nuk i jepte më. Shumë lot të derdhur për ato lekë të munguara, një mundësi e madhe karriere po i ikte nga duart sepse nuk kishte mundësinë për të paguar autobuzin.
Edhe në këtë moment, Uzuni e pa Zotin me sytë e tij, teksa dikush atje lart ishte duke e përkëdhelur në kokë, por pa i pëshpëritur në vesh për t’i treguar surprizën e madhe përpara kohe, atë që e priste kur të rritej. Nuk do të kishte vlerë ndryshe. Dhe në kohën që Uzuni shkoi në Lokomotivën e Zagrebit, situata ishte pothuajse e njëjta, vetëm se emri i tij ishte bërë pak më i dëgjuar në Shqipëri.
Në ato kohë kemi shkuar për të bërë një intervistë me familjen e Uzunit në Uznovë. Atje na priti babai i sulmuesi, Artan, së bashku me një shokun e tij. E pinin kafen gjithmonë bashkë dhe të dy diskutonin me të njëjtin pasion për Myrton. Edhe shoku i tij, sikur ta kishte djalin e vet Myrton. Na përgëzonte dhe falenderonte nga zemra, a thua se do të ishte një reportazh i bërë nga BBC për Myrto Uzunin, por për ta ishte e tillë, askush nuk kishte mbërritur në Uznovë.
Madje kur shkuam atje me makinë, e kishte marrë vesh e gjithë Uznova. Sapo i pyesnim për rrugën na thonin: “A jeni ju gazetarët që do të vini te shtëpia e Myrto Uzunit?”, dhe më pas na drejtonin për te vendi. Ditët kaluan pas kësaj interviste dhe babai i Myrtos na telefonon përsëri: “E mban mend shokun që u takuam bashkë kur bëmë intervistën? Iu kishte shumë përzemër, por tani është në spital, në rrezik vdekje. Na duhen para, nuk e di nëse e keni mundësinë të na ndihmoni pasi Myrto ka disa muaj pa u paguar te Lokomotiva e Zagrebit”.
Pra pasi Myrto kishte filluar pak nga pak të siguronte vetë gjërat e tij, ende mes vështirësive, babai i tij, Artani, vazhdonte të kërkonte para për të ndihmuar njerëzit e zemrës së tij. Myrto ia doli dhe për hir të gjithë kësaj historie dramatike, e kuptoi më shumë se të gjithë vlerën e parasë, i shpenzoi të gjitha vetëm për familjen e tij.
Shumë emocionuese ishte fakti se Myrto tani po i realizon një ëndërr të madhe motrës së tij, do ta bëjë nusen më të lumtur në botë. 13 vite dashuri, 13 vite lidhje, por për shkak të pamundësisë ekonomike, nuk kishin bërë as fejesë, për të mos folur për martesë. Myrto i bëri një dhuratë të madhe motrës së tij duke i marrë ëndrrën nga sirtari dhe duke i fshirë pluhurat, për t’ia dhënë në dorë, ashtu siç Zoti kishte bërë me të më parë.
Pra motra e Myrtos do të martohet tani pas 13 vitesh lidhje, për të kurorëzuar një martesë që ishte e pamundur me ceremoni në kushtet e varfërisë. Por jo vetëm kaq, edhe shtëpia e parë e prindërve të tij është hedhur në tokë. Myrto Uzuni ka ndërtuar një të re, tre kate të hedhura me hapësirën e madhe të krijuar për ta, për t’i ofruar të gjithë komoditetin e nevojshëm, ndërsa sipër ndërtesës varet një flamur i Shqipërisë me ndjenjë krenarie. Ndoshta do të ishte më mirë që ajo shtëpi e vjetër ku Myrto ka qëndruar të mos prishej, por krahas saj të ndërtonte një të re për të kuptuar sesi kishte ndryshuar jeta e tij kaq rrenjësisht në këto vite. Por edhe këtë herë, Uzuni kërkonte të thërrmonte dhe hidhte në erë atë ndërtesë të vjetër, t’i hidhte poshtë ato mure ku kishte lotuar aq shumë dhe të fshinte njëherë e mirë nga kujtesa e tij gjithçka i kishte ndodhur në të kaluarën. Një ëndërr e keqe nga e cila u zgjua shpejt, çfarë makthi… /Sport Ekspres/