“Kjo ndeshje do të na shërbejë për në mars”, Ismajli shpreh dëshirën e tij: Të bëjmë krenar tifozët në “play off”

Shqipëria ka përmbyllur mbrëmjen e sotme fushatën kualifikuese për në Kupën e Botës 2026. Kuqezinjtë janë mposhtur me shifrat 0-2 nga Anglia në ndeshjen e zhvilluar në “Air Albania”. Ekipi kombëtar shqiptar ka zhvilluar një paraqitje për t’u duartrokitur, teksa ka luajtur si i barabartë kundër “tre luanëve”. Kuqezinjtë patën rastet e tyre për të shënuar, duke rrezikuar disa herë portën angleze. Megjithatë, në fund nuk mundën ta shmangnin humbjen. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e “TV Klan”.

Ismajli: “E arritëm atë që donim, të arrinim në ‘play off’. Ishte një ndeshje shumë e luftuar. Kjo ndeshje do të na shërbejë shumë për ndeshjet e marsit, ku do të kemi dy finale. Siç na kanë bërë tifozët krenarë ne në çdo cep të botës, ashtu shpresoj t’i bëjmë krenar edhe ne. Pata dy lëndimi, por tani jam në rregull. Krenar që jam këtu. Si në stol, si në fushë, jam gati të jap 100%-shin. Sa për faull, folëm me arbitrin dhe na tha që nuk kishte asgjë. Kejni e kishte goditur pak Strakoshën (te goli i parë), por fillimisht kishte prekur topin”.

Ramadani: “Na motivon shumë, sepse për 70 minuta ishim në të njëjtin nivel. Nuk kishim diferenca të mëdhaja në fushë. Do ta motivojë shumë për fazën e “play off”-it, sepse aty nuk do të ketë ekipe të lehtë dhe do të tregojmë dhembët ndaj çdokujt. Te ne nuk ka rëndësi kush luan. Nuk do të ishim këtu nëse nuk do të ishim grup i mirë. Ata po hasnin vështirësi në mesfushë, sepse ne po i dublonim shumë mirë”./Sport Ekspres/