“Franca kishte frikë nga Shqipëria ime, nuk kisha lojtarët që janë sot te Kombëtarja”! De Biazi: Unë kisha vetëm Ledian Memushajn

De Biazi ishte i ftuar në emisionin “Skaner” që transmetohet në “MCN TV” dhe moderohet nga Gerti Carcani. Ish-trajneri i Kombëtares ka folur gjatë për kujtimet e së shkuarës, por ka bërë edhe një analizë mesa mundet për Shqipërinë e tanishme. Gjithmonë i rezervuar pasi nuk kërkon të preket Silvinjo ashtu si dikur nuk i pëlqente kur të tjerët kishin opinione të ndryshme për Shqipërinë e tij, por De Biazi ishte i sinqertë kur thotë se Shqipëria e tanishme nuk ka asnjë të përbashkët me Shqipërinë e tij. Megjithatë tregohet diplomat kur kërkon vetëm Berat Gjimshitin nga Kombëtarja e tanishme si për të “larë” pengun e Europianit të Francës që nuk e mori me vete.

“Megjithë respektin për lojtarët e mi, të kohës time te Shqipëria, por kjo Kombëtare tani ka diferencë të madhe me lojtarët që kisha unë. Sot ke shumë lojtarë të Shqipërisë në Serinë A, unë kisha vetëm një lojtar të jashtëzakonshëm, Ledian Memushaj. Unë kisha një ekip punëtorësh, ata lojtarë që përvishnin mëngët kur futeshin në fushë dhe jepnin gjithçka aty, por ky ekip i tanishëm nuk mund të krahasohet në cilësi me skuadrën tonë. Dhe praseprapë ia dolëm, shkuam në Europian. Kë do të doja nga ky grup te Shqipëria ime? Berat Gjimshitin e tanishëm do të doja të parin, në ato kohë nuk ishte në këtë formë dhe nivel te Atalanta, nuk luante atje, sot është ndryshe. Lojtar tjetër nuk marrë pasi më mjaftojnë ata që kisha atëherë. Atëherë luajtëm me Francën dy herë, 1-1 në Francë dhe ne fituam 1-0 në Shqipëri. Pashë Francën të frikësuar kundër Shqipërisë, Shqipëria i jepte frikë Francës”, tha De Biazi. /Sport Ekspres/