Tirana është flakë! Kryeqytetasit marrin vendin e 3 në Superiore, fitorja me Skënderbeun po harron sezonet e shkuara

Tirana ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në javën e 13-të të Abissnet Superiore, duke mposhtur Skënderbeun me rezultatin 3-2 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Një përballje me pesë gola, ku i gjithë spektakli u zhvillua në pjesën e parë.

Skuadra e drejtuar nga Dean Klafuriç e nisi vrullshëm takimin dhe kaloi në avantazh në minutën e 27-të, pas një autogoli të Lagonidis. Vetëm pak sekonda më vonë, Daci dyfishoi shifrat, duke e vendosur Tiranën në një pozicion shumë komod.

Bardheblutë nuk u ndalën me kaq. Në minutën e 34-t, Xhixha realizoi golin e tretë, duke i dhënë përshtypjen se vendasit po shkonin drejt një fitoreje të lehtë.

Megjithatë, Skënderbeu reagoi dhe nuk u dorëzua. Braga ngushtoi diferencën në minutën e 39-të, ndërsa Musa shënoi golin e dytë në shtesën e pjesës së parë, duke e mbyllur fraksionin e parë me rezultatin 3-2.

Në pjesën e dytë, korçarët kërkuan me ngulm golin e barazimit, por Tirana arriti të ruante avantazhin. Një moment i diskutueshëm ishte minuta e 53-të, kur pati një kontakt në zonën e bardhebluve, por arbitri Erjon Bastari lejoi vazhdimin e lojës.

Në fund, tri pikët mbetën në kryeqytet. Me këtë sukses, Tirana shkon në kuotën e 19 pikëve dhe ngjitet përkohësisht në vendin e tretë, ndërsa Skënderbeu mbetet me 17 pikë në pozitën e katërt. /Sport Ekspres/