De Biazi ishte i ftuar në emisionin “Skaner” që transmetohet në “MCN TV” dhe moderohet nga Gerti Carcani. Ish-trajneri i Kombëtares ka folur gjatë për kujtimet e së shkuarës, por ka bërë edhe një analizë mesa mundet për Shqipërinë e tanishme. Gjithmonë i rezervuar pasi nuk kërkon të preket Silvinjo ashtu si dikur nuk i pëlqente kur të tjerët kishin opinione të ndryshme për Shqipërinë e tij, por De Biazi ishte i sinqertë kur thotë se Shqipëria e tanishme nuk ka asnjë të përbashkët me Shqipërinë e tij. Megjithatë tregohet diplomat kur kërkon vetëm Berat Gjimshitin nga Kombëtarja e tanishme si për të “larë” pengun e Europianit të Francës që nuk e mori me vete.
“Megjithë respektin për lojtarët e mi, të kohës time te Shqipëria, por kjo Kombëtare tani ka diferencë të madhe me lojtarët që kisha unë. Sot ke shumë lojtarë të Shqipërisë në Serinë A, unë kisha vetëm një lojtar të jashtëzakonshëm, Ledian Memushaj. Unë kisha një ekip punëtorësh, ata lojtarë që përvishnin mëngët kur futeshin në fushë dhe jepnin gjithçka aty, por ky ekip i tanishëm nuk mund të krahasohet në cilësi me skuadrën tonë. Dhe praseprapë ia dolëm, shkuam në Europian. Kë do të doja nga ky grup te Shqipëria ime? Berat Gjimshitin e tanishëm do të doja të parin, në ato kohë nuk ishte në këtë formë dhe nivel te Atalanta, nuk luante atje, sot është ndryshe. Lojtar tjetër nuk marrë pasi më mjaftojnë ata që kisha atëherë.
Pak më parë isha në darkë me presidentin Armand Duka dhe gjatë gjithë darkës atje kam folur vetëm për Brojën. Fola sepse për mua është lojtar që duhet fituar, është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Sic është edhe Rei Manaj që unë e kam marrë dhe larguar disa herë, ishin kohë të tjera, por ishte i pamaturuar atëherë, jo si sot. Më kujtohet një ndeshje miqësore Shqipëri-Kosovë, nuk e mbaj mend rezultatin sesa ishte. Ngre nga stoli dhe fus në fushë Rei Manaj dhe i them: “Futu dhe bëj më të mirën tënde”. Më kthehet thjeshtë: “Do bëj gol”. Futet dhe pak sekonda më vonë, goditje këndi për ne, me kokë dhe Manaj bën gol.
Nuk bëhet fjalë për Brojën thjesht puna e pozicionit, nuk dua të futem më shumë në detaje se nuk më përkasin. Ideja është që duhet të jetë në harmoni të plot me 10 lojtarët e tjerë, kjo është e gjitha, jo se luan majtas apo se luan djathtas. E pashë edhe ndeshjen Angli-Shqipëri kur hyri Broja, luajti mirë, ka potencial, publiku e pret si fenomen me ovacione, shumë shpërthime për të. Por në fund ka një matës dhe ato janë shifrat, statistikat, sa gola ka shënuar, sa pasime bëri, sa asist dha, sa topa humbi.
Nuk është etike që të them unë tani se cfarë duhet bërë me Brojën se nuk jam te stafi teknik. Por janë disa detaje, mund të kaloja edhe një fundjavë me Brojën për të kuptuar jetën e tij, për të kuptuar dinamikën e tij, për të kuptuar peceptimin e tij. Do të bëja disa lëvizje të tilla për të kuptuar realisht se cfarë po ndodh me Brojën. Këtë i thashë edhe Dukës, duhet gjetur mënyra për ta rikuperuar Brojën, sesi nuk e di, por duhet ta gjejnë”, tha De Biazi. /Sport Ekspres/