“Shqipëria ka një fitoz më shumë”, Abrashi flet pas largimit nga Kombëtarja: Luajta dy Europianë, Botërorin e luaj si tifoz

Amir Abrashi ishte i pranishëm në “Air Albania” në përballjen kundër Anglisë, ku përpara fillimit të ndeshjes u nderua për kontributin e dhënë në Kombëtare. Ai u ftua për herë të parë te kuqezinjtë nga Xhani De Biazi dhe që atëherë kreu 51 paraqitje në fushën e lojës. Gjithashtu gjatë karrierës së tij, mesfushori u grumbullua në dy kampionatet europiane, EURO2016 dhe EURO2024. Në një intervistë për “FSHF TV”-në, Abrashi ka rrëfyer ftesën e parë në Kombëtare dhe çastet më të bukura me fanellën kuqezi.

“Mua më ka thërritur Xhani De Biazi. Më ka përcjellë në ndeshjen U-21 të Zvicrës dhe më ka çuar ftesën. Unë e kam pranuar me 100% besim te Federata Shqiptare e Futbollit. Ka shumë momente që kanë qenë të bukura, por do ta filloj me Serbinë. Edhe pse nuk ka qenë futboll ajo ndeshje në Beograd, por në fund të fundit e kemi mbrojtur njëri-tjetrin dhe i kemi marrë ato tre pikë me letra. Por ato tre pikë na kanë ndihmuar shumë kualifikimin në EURO 2016, që ka qenë një histori që ne lojtarët e kemi shkruajtur për herë të parë. Ato momente janë të paharrueshme. Botërorin nuk e kam luajtur ende, në dy Europianë kam qenë (qesh). Por shpresoj të jem si tifoz në Botëror për çunat. Jo vetëm në Botëror, por në çdo ndeshje Kombëtarja e ka një tifoz më shumë”, ka thënë Amir Abrashi./Sport Ekspres/