Shqipëria do të përballet me Poloninë në gjysmëfinalen e ‘play off’-it për në Kupën e Botës. Julian Shehu ka komentuar këtë përballje në një intervistë për “Goal.pl”. Mefushori shqiptar i konsideron shanset të barabarta për të dyja ekipet dhe është i mendimit se fituesi do të vendoset nga detajet.
“Sinqerisht, në ‘play off’, çdo kundërshtar është i fortë. Polonia ka lojtarë vërtetë shumë të mirë, por këto janë ato lloj ndeshjesh për të cilat ëndërron si një lojtar profesionist. Polonia është një ekip shumë i mirë, me futbollistë shumë të mirë dhe me një trajner të shkëlqyer, të cilin e kujtoj që nga koha e tij te Gornik Zabërze. Mendoj se detajet e vogla do të vendosin se cili do ta fitojë ndeshjen.
Të luajturit në shtëpi është gjithmonë një avantazh. Por ‘play off’-et kanë rregullat e tyre dhe gjithçka mund të ndodhë. Do të thoja se shanset janë thuajse 50/50. Të dyja skuadrat kanë cilësi dhe janë shumë të motivuara. Levandovski është një nga lojtarët më të mirë në botë. Ajo që ka bërë ai për këtë vend është e pabesueshme. Gjithashtu edhe ne kemi lojtarë vërtetë të mirë, me një ndikim jashtëzakonisht të madh si në fushë, ashtu edhe jashtë saj”, ka deklaruar Julian Shehu./Sport Ekspres/