Flamurtari nuk po kalon një moment të mirë në këtë sezon të Superiores. I ftuar në “Mega Sport” që transmetohet në “A2 CNN” ishte legjenda e futbollit tonë, Kreshnik Cipi. Ai ka folur sa i përket rezultateve të Flamurtarit, por edhe problemit të fushave sportive.
“Problemi i Flamurtarit? Kemi stadiumin, por nuk kemi lojtarët. Lojtarët e ardhur nga vera nuk kanë qenë të duhurit, duhet me patjetër që të bëjmë ndërhyrje në merkato ndryshe situata nuk do të shkojë mirë.
Mungesa e talenteve të Vlorës? Duhet që Bashkia të reagojë të kemi fusha të tjera sportive në Vlorë. Kemi vetëm një fushë sportive në Vlorë, te Pylli i Sodës, atje ikën një ekip dhe vjen një ekip. është shumë e vështirë të stërvitesh aty breza të tërë nga mosha 10-vjeçare të ekipi i parë. Unë shoh fëmijë që pasi arrijnë një farë moshe ikin nga qyteti ynë, ikin në Fier ose diku këtu afër, në ekipe të tjera private, por nuk rrinë te Flamurtari. Duhet me patjetër, është urgjente, që të kemi edhe disa fusha të tjera sportive”, tha Cipi. /Sport Ekspres/