Kombëtarja U-19 e vajzave luajti sot ndeshjen e tretë dhe të fundit të raundit të parë të kualifikueseve të Europianit 2026, përballë Lihtenshtejnit.
Në stadiumin “Egnatia Arena” Shqipëria fitoi me rezultatin e thellë 5-0. Golat u shënuan nga Angela Nika, Klesta Ago, Adela Qose, Klausia Murataj dhe Xhesika Ndoj.
Trajnerja Daniela Kodra e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Amelia Mone (GK), Isabella Kuci, Angela Nika, Stela Vata, Xhesika Ndoj (C), Bora Bushati, Klesta Ago, Samanta Hysa, Amelia Reci, Adela Qose, Erina Bajramaj.
Pjesa e parë u mbyll 0-0, ndërsa në fraksionin e dytë ishte Angela Nika që hapi serinë e golave në minutën e 76-të.
Në minutën e 84-t ishte Klesta Ago që dyfishoi rezultatin, ndërsa Adela Qose realizoi golin e tretë në minutën e 89-të.
Në kohën shtesë vajzat shënuan edhe dy gola të tjerë me Klausia Murtaj dhe Xhesika Ndoj, duke e mbyllur sfidën 5-0.
Në ndeshjen tjetër të grupit, të luajtur në “Elbasan Arena”, Sllovakia triumfoi 3-0 ndaj Luksemburgut dhe siguroi vendin e parë.
Ndeshjet e grupit B2 të raundit të parë të kualifikueseve të Europianit 2026 u zhvilluan në Shqipëri nën organizimin e Federatës së Futbollit.