Marash Kumbulla ka debutuar me fanellën e Rayo Vallecanos në Kupën e Mbretit, duke lënë menjëherë gjurmë në fitoren 3-2 ndaj Recreativo Huelva, pas kohës shtesë. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare luajti 80 minuta dhe ishte një nga futbollistët më të spikatur të skuadrës spanjolle. Në pjesën e parë, Kumbulla iu afrua golit me një goditje të rrezikshme fluturimthi, që detyroi portierin kundërshtar të bënte një pritje të shkëlqyer.
Pak më vonë, shqiptari fitoi një penallti, nga e cila Rayo Vallecano barazoi rezultatin në 1-1. Për më tepër, aksioni solli edhe përjashtimin me karton të kuq të mbrojtësit të Recreativos, Roan Riera. Statistikat e Kumbullës ishin mbresëlënëse, veçanërisht në duelet fizike. Qendërmbrojtësi fitoi të gjitha pesë duelet në tokë, duke regjistruar një sukses të përsosur prej 100%. Ai fitoi gjithashtu një nga dy ndërhyrjet e tentuara dhe regjistroi pesë aksione mbrojtëse, duke treguar siguri dhe vendosmëri në fushë.
Ky është sezoni i tretë i Kumbullës në futbollin spanjoll. Pas eksperiencës me Espanyolin dhe huazimit te Mallorca, mbrojtësi synon të gjejë vazhdimësi te Rayo Vallecano. Ai është rikthyer gjithashtu në Kombëtaren shqiptare pas një viti mungesë, duke u grumbulluar për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Debutimi pozitiv është një sinjal inkurajues për vazhdimësinë e tij këtë sezon. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/