Edicioni i radhës i seleksionimeve Open Stage për futbollistët e rinj shqiptarë që jetojnë dhe luajnë në vende të ndryshme të botës ka nisur sot rrugëtimin e tij. Përgjatë 4 ditëve, në “Shtëpinë e Futbollit” do të mirëpriten qindra djem të grupmoshave të ndryshme për t’u bërë pjesë e ekipeve kombëtare në të ardhmen.
Në ditën e parë të Open Stage u vëzhguan djemtë e vitlindjes 2011, të cilët treguan aftësitë e tyre para specialistëve të FSHF.
I ftuar special i ditës së parë ishte lojtari i Kombëtares shqiptare Elseid Hysaj, i cili ndoqi nga afër ndeshjet e zhvilluara mes grupeve të futbollistëve të rinj.
Në një prononcim për fshf.org, mbrojtësi i Kombëtares u shpreh se ky event është një mundësi e mirë për lojtarët e rinj që të shpalosin cilësitë e tyre dhe të përjetojnë emocionet e fanellës kuqezi.
“Është hera e parë që vij për të parë seleksionimet e Kombëtares. Është shumë bukur, një organizim shumë i mirë i bërë nga Federata. Këta djem të rinj kanë një mundësi për të treguar veten dhe për të veshur fanellën e Kombëtares në të ardhmen e tyre” – u shpreh Elseid Hysaj.
“Sigurisht që të jep një shtysë më të madhe për të vazhduar për t’u stërvitur më mirë me ekipin që luan, sepse të vish këtu, të tregosh veten apo të ftohesh në një grumbullim tjetër të U15 apo U16, është një shtysë, sepse ti tregon veten, të jep krenari, sepse vjen me familjen, nga jashtë vendit, pasi disa prej tyre ndoshta as nuk flasin shqip, varet ku janë rritur. Besoj se është diçka e bukur, si për lojtarin ashtu edhe për familjen e tij” – shtoi më tej Hysaj.
“Shpresoj që të vazhdojnë të përqëndrohen, të japin gjithçka për futbollin dhe u uroj suksese të gjithëve” – përfundoi mbrojtësi i Kombëtares.
Seleksionimet Open Stage do të vijojnë nesër, pasnesër dhe në datën 16 dhjetor në “Shtëpinë e Futbollit”.