Rei Manaj është përzgjedhur si një nga kandidatët për “Personazhi i vitit 2025” nga emisioni “Opinion”. Sulmuesi shqiptar ka zhvilluar një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu në fushën e stadiumit “Air Albania”, ku sigurisht që tema kryesore ishte goli i shënuar kundër Serbisë. Manaj është shprehur se kishte tre muaj që e manifestonte shënimin e golit, të cilin thekson se e nuhati gjatë aksionit.
“Kisha tre muaj që e manifestoja si gjë dhe absolutisht që e mendoj se do të bëhej goli në Serbi. E manifestova për tre muaj rresht këtë gjë. Isha i lumtur që luajta, por edhe po të luantë dikush tjetër… kënaqësia ime ishte vetëm që fituam në Serbi. Po të shikosh mirë videon, unë në atë pozicion nuk kisha lidhje fare. Unë duhet të ikja në shtyllë të parë. Por ishte mund të themi një nuhatje. Sikur e nuhata situatën që mund të vinte topi aty. Mund të ishte edhe një rastësi mund të thonë disa, por unë brenda vetes sime e di që ishte një nuhatje. Kë telefonova të parin pas ndeshjes? Mamin dhe babin. Po qanin në shtëpi dhe ishin të kënaqur. Goli më i rëndësishëm i gjithë karrierës sime është ai kundër Serbisë”, është shprehur Rei Manaj./Sport Ekspres/