Punimet për ndërtimin e fushës së re pranë stadiumit “Niko Dovana” po hyjnë në fazën përfundimtare. Pas përfundimit të bazamentit, në ditët në vijim do të nisë shtrimi i tapetit sintetik, duke i dhënë jetë një tjetër investimi të rëndësishëm të Federatës së Futbollit.
Ky projekt realizohet nga FSHF në bashkëpunim me klubin e Teutës, ku klubi durrsak ka marrë përsipër punimet e bazamentit. Sakaq, Federata, përveç financimit të tapetit sintetik, do të investojë edhe në sistemin e vaditjes si dhe në pajisjen e fushës me porta dhe flamuj.
Ky është një investim i rëndësishëm që ndihmon në përmirësimin e infrastrukturës sportive në qytetin e Durrësi, duke krijuar kushte më të mira për stërvitjen dhe zhvillimin e futbollistëve. Paralelisht, FSHF vijon angazhimin e saj për investime në fusha futbolli në disa qytete të vëndit.