Nga Klaudio Ndreca
Sa herë që ne njerëzit kthejmë kokën mbrapa, jemi të destinuar për të kujtuar gjërat më të bukura të saj dhe për të harruar të gjitha përjetimet e këqija. “Ishte ndryshe atëherë”, sa herë e kemi thënë këtë frazë?
Për çdo fushë të jetës, ashtu edhe për futbollin. Të gjithë kujtojnë kohën e dikurshme të Flamurtarit të lavdishëm, të Dinamos, të Tiranës, të Partizanit, por harrojnë edhe shumçka nga e kaluara e afërt. Përshembull jo më larg se 5 vite më parë kur nga stadiumi shpeshherë oshëtinte zëri i një trajneri në futbollin shqiptar: “Hiqee, hiqee topin, bjeri para”.
Dhe për fat të keq nuk ishte vetëm një, por shumë të tillë. Por për çfarë bëhej fjalë? Ishin rastet kur një lojtar kishte topin në mbrojtje dhe trajneri ulërinte me sa kishte në kokë, ai top duhet të hiqej sa më shpejt që të ishte e mundur.
A thua se një “bombë” ishte në këmbët e futbollstit dhe jo një top? A thua se pasimi nuk njihej? A thua se edhe nëse bëhej një gabim, do të kushtonte jetën? Kështu rriten vetëm të ardhurat e trajnerve që mendojnë për rezultate dhe rritje page, jo një brez me të ardhme të madhe të lojtarëve dhe talenteve. Ndërkohë dikur në një kontinent më të largët, në Brazil, llogjika e topit që duhet rënë para jo vetëm që nuk funksionon, por në moshat e vogla goli nuk quhet kur futet topi në rrjetë, por kur bëhen driblime të bukura. Futbolli është art, jo top në rrjetë.
Në kushte të tilla, talenti mbytet, ai nuk rritet, nuk ka lirshmëri për të luajtur ashtu siç ai dëshiron, që të përdor të gjithë fantazinë e tij. Po ashtu siç edhe Mentor Mazrekaj shprehej në “Pjesa e Tretë” se ishte kaq shumë i çuditur me faktin se dikur nuk luante në Shqipëri, në një skuadër, pasi nuk e bënte mirë rolin e mbrojtësit të djathtë. Një sulmues i djathtë që duhet të bëjë rolin e mbrojtësit të djathtë, ku jemi këtu, në Kombëtare?
Me pak fjalë futbolli shqiptar ka edhe kohëra të tilla, vijmë edhe nga këto çudira që mbysin talentet tona, përtej Flamurtari-Barcelona, përtej Flamurtari-Partizani i Beogradit, përtej Skënderbeut në grupet e Europa League dhe përtej shumë kujtimeve të tjera të bukura të nostagjikëve.
Ndërkohë pak ditë më parë në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar një seminar shumë të veçantë dhe të bukur. Lidhet pikërisht me këtë temë, quhet inteligjenca emocionale.
Për çfarë shërben ajo? Nuk është kaq e ndërlikuar, shërben për të përgatitur trajnerët që të menaxhojnë emocionet, të kenë një komunikim të kujdesshëm, të përballojnë më lehtë stresin, të menaxhojnë më mirë konfliktet e pashmangshme në një grup me të paktën 30 njerëz dhe të dinë sesi të menaxhojnë fitoret dhe humbjet.
Në Shqipëri lindin dhe prodhohen talente në futboll, është pjesë e genetikës tonë, por në vitet e fundit vihet re se jemi shumë të brishtë emocionalisht. Ernest Muçi dhe Armando Broja janë dy nga dëshmitë e gjalla, dy lojtarë të aftë potencialisht me talentin e tyre që të luanin për Real Madridin apo Barcelonën, por që brishtësia e tyre i ka prishur jo pak punë në karrierë deri tani.
Sepse lojtari formohet që në gjenezë, kur shkon në moshën 20-vjeçare nuk mund të ndryshojë më asgjë. Edhe nëse je Armando Broja, edhe nëse ke lindur në Angli, por pas vetes ke shqiptarë në familje të rritur me mentalitetin tonë, historia nuk ka për të ndryshuar.
“Armando Broja ka presionin e madh të gjithë fisit të tij, ky presion po e bën që ta ketë kaq të vështirë për të shpërthyer. është presion që kuptohet, që vetëm ai do të krenojë gjithë fisin, familjen, Shqiptarinë, se çdo gjë do të vijë vetëm nga ai. Në momentin që Broja do të lehtësohet nga kjo barrë dhe do të luajë për veten e tij, atëherë do ta shohim si dikur”, tha Elvis Plori para disa kohësh në “Koha Shtesë”.
Pra trajnerët në Shqipëri duhet të jenë të aftë psikologjikisht për të kuptuar lojtarin sesi funksionon në trurin e tij, për të kuptuar sesi funksionon familja e tij dhe më pas për të kërkuar që t’i marrin maksimumin. Marrja e hapësirës dhe kundërkoha, nuk janë më terma që trajnerët i përdornin dikur dhe njerëzit e tjerë mbeteshin të habitur: “Sa shumë di ky trajner”.
Shqipëria vuan aktualisht për njerëz të tillë në futboll, për trajnerë me kapacitet shumë të lartë dhe gati intelektual në futboll. E parë në këtë prizëm, nga “hiqe topin, bjeri para” sikur të kishte bombë, në një seminar përgatitës nga Federata Shqiptare e Futbollit për menaxhimin emocional të trajnerëve, është një hap shumë përpara.
është një hap shumë përpara sepse është një detaj i vogël në dukje në mesin e shumë problemeve tona, por nga ana tjetër është gjithë baza e problemit tonë, është e gjithë baza e mbytjes së talenteve tonë. Në fillim duhet të kemi këta trajnerë që të jenë të aftë vetë për të menaxhuar emocionet e tyre pasi nuk munden dot dhe shpërthejnë në pika të cilat janë gati gati të neveritshme, si mund të marrë shembullin lojtari prej tyre?
Pjesa e komunikimit më pas është një tjetër art më vete. Të dish të ngarkosh me përgjegjësinë e duhur dhe ta shkarkosh nga presioni i madh një lojtar është një vijë e hollë që ndan një person të zgjuar me një person të çmendur. Edhe këtu, ka shumë për të folur dhe për të shpjeguar.
“Ka qenë një ditë e veçantë, si për trajnerët tanë të ekipeve të djemve dhe vajzave, ashtu edhe për përgjegjësit e departamenteve Goalkeeper, Fitness Coach dhe Videoanalizës.
Një trajner i mirë duhet të njohë teknikën dhe taktikën, por për të qenë i suksesshëm duhet të dijë si të menaxhojë konfliktet, fitoret dhe humbjet, si të komunikojë dhe të ndërhyjë në situata të ndryshme.
Sot, aspektet e menaxhimit janë një kërkesë dhe nevojë thelbësore për çdo trajner,” – u shpreh drejtori teknik i Federatës Shqiptare të Futbollit, Fulvio Plea, pas organizimit të këtij seminari.
Për momentin ajo u zhvillua me trajnerët e ekipeve kombëtare të djemëve dhe vajzave si dhe drejtuesit e disa departamenteve kyçe brenda FSHF.
Një hap i madh përpara, por ajo që ne urojmë është që në të ardhmen e njëjta ide, i njëjti seminar, të shtrihet edhe për trajnerët aktualë të Superiores dhe Kategorive të tjerë më të ulëta sepse talentet në Shqipëri kanë nevojë për njerëz më shumë sesa për trajnerë, më shumë liri për të shpalosur fantazinë dhe më shumë ide për t’u përmirësuar në rrugën e duhur. /Sport Ekspres/