Njeriu që i dha fitoren Elbasanit ditën e sotme ishte pjesë e emisionit “Mega Sport” në “A2 CNN” nëpërmjet një lidhjeje të drejtpërdrejtë. Ibrahim Diallo ka zbuluar më shumë rreth vetes së tij, përvojës te Elbasani dhe ëndrrat për të ardhmen. Sulmuesi senegalez është shprehur se synon 15 gola të shënuar deri në fund të kampionatit, ndërsa ka shtuar se verdheblutë e kanë potencialin për t’u kurorëzuar me titullin kampion.
“Jam nga Senegali. Kam qenë në Francë në 2023-shin, me Valonsienin në ligën e dytë. Kam qenë edhe në Turqi me Goztepen. Ndihem mirë këtu në Elbasan. Atmosfera është e mirë. Të gjithë janë të lumtur këtu. Ushqimi i preferuar në Shqipëri? Pilaf, turli dhe tasqebap. Nuk dëgjoj muzikë shqiptare, vetëm afrikane. Sigurisht që dua të luaj për Kombëtaren e Senegalit. Secili lojtar dëshiron të luajë me ekipin e vetë kombëtar. Ndoshta shënoj 15 gola deri në fund të kampionatit. Mund ta realizojmë që të dalim kampion sepse kemi një skuadër të mirë. Mund të synojmë kampionatin, kupën dhe të shkojmë në kupat e Europës. Cili futbollist shqiptar më pëlqen? Bregu. Portieri më i vështirë është ai i Vorës”, ka thënë Ibrahim Dialoja./Sport Ekspres/