“Mos u nxitoni”! Shoqata e Arbitrave jep pamjet për rastin te Elbasani-Partizani: Ishte penallti sepse kontakti përfundoi brenda zone

Shoqata e Arbitrave Shqiptarë ka ardhur me një reagim sa i përket rastit të diskutueshëm të ndodhur në ndeshjen mes Elbasanit dhe Partizanit. është folur pikërisht për penalltinë e dhënë, ku në këtë reagim, shpjegohet se sipas Rregullave të Lojës, jepet penallti një rast ku tërheqja nga fanella fillon nga jashtë zone si në rastin konkret dhe përfundon brenda zone.

“Reagim zyrtar mbi interpretimin e rastit të diskutueshëm në ndeshjen AF Elbasani – Partizani
Në vijim të diskutimeve publike pas ndeshjes çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, AF Elbasani – Partizani, dëshirojmë të sqarojmë opinionin sportiv mbi interpretimin e rastit të diskutueshëm në fundin e takimit, duke u mbështetur vetëm në rregullat e lojës.

Në rastin konkret të aksionit të kontestuar, vendimi i arbitrit për akordimin e penalltisë është në përputhje me Ligjin 12 të Rregullave të Lojës. Ky ligj përcakton qartë se nëse një mbrojtës fillon të tërheqë ose mbajë një sulmues jashtë zonës së penalltisë dhe kjo shkelje vazhdon edhe brenda zonës, atëherë vendimi teknik duhet të jetë penallti. Pra momenti përcaktues nuk është kontakti fillestar, por vendi ku ajo përfundon.

Ky interpretim bazohet në Ligjin 12 të Rregullave të Lojës, pika 3 (avantazhi), dhe ky standard ndërkombëtar zbatohet njësoj në të gjitha garat.
BASHF rithekson se çdo vendim arbitrar analizohet sipas procedurave zyrtare dhe me standarde profesionale. Respektimi i rregullave, besimi te proceset zyrtare dhe komunikimi i përgjegjshëm janë elementë thelbësorë për mbarëvajtjen e drejtë të garave dhe për ruajtjen e integritetit të futbollit. Ftojmë të gjitha klubet që të tregojnë përmbajtje dhe të mos nxitojnë me reagime publike pa u kryer analizat teknike përkatëse”, shkruhet në reagim. /Sport Ekspres/