Joan Laporta ka folur hapur për marrëdhënien e tij me Lionel Mesin. Presidenti i Barcelonës ka pranuar se marrëdhënia mes tyre është krisur. Ai ka zbuluar për “Radio Katalunjën” se Mesi refuzoi që të përshëndetej me të në ceremoninë e Topit të Artë 2023. Largimi i argjentinasit nga Barcelona nuk u krye në mënyrën që ai priste, duke ndikuar kështu në raportin me drejtuesit e klubit. Megjithatë Laporta ka shtuar se 7 herë fituesi i Topit të Artë ka statusin e një legjende te Barça dhe meriton një statujë në “Kamp Nou”.
“Marrëdhënia me Mesin nuk është më si ka qenë. Pati një incodent në ceremoninë e Topit të Artë, kur unë shkova ta përshëndesja dhe ai ndjeu se nuk duhet ta përshëndesnim njëri-tjetrin. Nga ai moment e tutje kemi pasur disa përpjekje për t’u rilidhur dhe shpresoj që do të ndodhë në të ardhmen. Marrëdhënia është dëmtiar, por ai është një legjendë e Barcelonës.
Leo meriton një statujë në “Kamp Nou”, ashtu si kanë Krojfi dhe Kubala. Ai meriton një tribut dhe ne mendojmë se koha e duhur për ta bërë është kur stadiumi të ketë përfunduar tërësisht dhe të ketë një kapacitet prej 100 mijë ulësesh”, ka thënë Joan Laporta./Sport Ekspres/