Artan Bano vazhdon që të jetë trajneri i Lushnjes! Trajneri i njohur është ende pjesë e kësaj skuadre, përkundër zërave për një dorëheqje të mundshme pas humbjes së thellë 1-5 kundër Laçit.
Bano mori përsipër një detyrë të vështirë, ku në një ambient të pamundur për të dalë me rezultateve pozitive, trajneri vendosi gjoksin përpara për të kërkuar që të nxjerrë me forcë Lushnjen drejt suksesit.
Rezultatet e fundit nuk janë fort të mira pasi Lushnja numëron pesë humbje radhazi dhe ndodhet në vendet e fundit, që të dërgojnë në Kategorinë e Dytë. Kjo do të ishte një dramë e madhe për një qytet që jeton me futbollin.
Në një reagim për Sport Ekspres, Artan Bano, ka treguar se do të vazhdojë që të jetë pjesë e Lushnjes, duke shfaqur gjithë pasionin e tij të madh. “Unë do të vazhdoj që të jem pjesë e Lushnjes. Erdha këtu, në këtë post, sepse më kërkuan tifozët e Lushnjes. Nuk e kisha me shumë qef që të vija në fakt, sepse ishte një moment i pakëndshëm. Por erdha sepse më kërkuan tifozët te Lushnjes dhe unë do të iki kur të më thonë tifozët, sepse kam ardhur për ta.
Nuk kam paraqitur asnjë dorëheqje, do të vazhdoj që të jem pjesë e Lushnjes. Kam shumë besim se do të marrë rezultatet pozitive, do t’ia dalim në këtë sezon për të shpëtuar dhe për të mos rënë dhe më pas në sezonin tjetër, të bëhemi gati, për t’u paraqitur sa më denjësisht dhe të kemi të tjera objektiva”, tha Bano. /Sport Ekspres/