Edhe 21 ditë na ndajnë nga një prej ndeshjeve më të rëndësishme të Kombëtares shqiptare të futbollit. Kuqezinjtë do të sfidojnë Poloninë në Varshavë për të mbajtur gjallë shpresën për kualifikimin në Kupën e Botës 2026. Pablo Zabaleta ka dhënë një intervistë për FSHF-në, ku ka shprehur pikëpamjen e tij mbi sfidën e “play off”-it. Zëvendës trajneri i ekipit tonë kombëtar ka theksuar se nuk do të jetë e lehtë ndaj polakëve, por nga ana tjetër ka besim të plotë te kuqezinjtë dhe te cilësitë e tyre se mund të shkruajnë historinë dhe mund të kualifikohen për herë të parë në Kampionatin Botëror.
“Ne kemi luajtur kundër Polonisë 3 vite më parë, por nuk mund të themi që është e njëjta skuadër. Mund të kenë disa lojtarë të njëjtë, poe janë në një moment tjetër dhe me një trajner të ri. Mënyra se si luajnë është tërësisht ndryshe. Duket sikur kanë më shumë vetëbesim. Këtë javë kemi parë 5-6 ndeshje të tyre me trajneri e ri dhe do të jetë shumë e vështirë.
Sigurisht, duhet ta respektojmë Poloninë, pasi fakti që kemi fituar ndaj tyre herën e fundit në Shqipëri nuk do të thotë se do të jetë e njëjta gjë. Polonia është një skuadër që shkon përherë në këto faza, qoftë në “play off” apo duke u kualifikuar në Europian ose Botëror duke luajtue ndeshje të tilla. Pra e kanë përvojën e të qenurit në situata të tilla. Për Shqipërinë, për ne, është hera e parë, prandaj është shumë e rëndësishme që të besojmë se mund t’ja dalim. Sigurisht, mund të na mungojë përvoja e të përjetuarit të një situate të tillë më parë, por ajo që duhet të sjellim në këtë ndeshje është shpresa e të gjithë kombit. I njohin lojtarët tanë, cilësitë e tyre dhe e dimë që mund t’ja dalin. Kemi besim dhe jemi optimistë që do të vijmë në këtë ndeshje me qëllimin dhe energjinë e duhur për të luajtur kundër Polonisë dhe shpresojmë të kalojmë në fazën tjetër. Më pas kemi një ndeshje tjetër për të arritur qëllimin kryesor, që është shkuarja në Kampionatin Botëror, çka do të ishte diçka fantastike.
Kur e shoh skuadrën tonë duke luajtur, kur shoh lojtarët tanë dhe flas me ta, është hera e parë për këtë komb dhe për Kombëtaren që të arrijë në një ndeshje të tillë. Ata janë shumë krenarë për këtë dhe shumë entuziastë për këtë ndeshje, gjë që ne si staf teknik e shohim qartë. Lojtarët po e presin këtë moment. Kjo është diçka fantastike. Kemi shanse. E kemi vërtetuar më parë ndaj këtyre ekipeve se mund t’i mposhtim, sidomos sepse kjo është hera e parë. Është një shans i madh për Shqipërinë. Të gjithë presim të përjetojmë eksperiencën e pjesëmarrjes në Kupën e Botës në qershor. Por për këtë kemi ende dy hapa të tjerë. Kështu që le të marrim hapin e parë, më pas të dytin, dhe pastaj do të vijë momenti kur mund të festojmë të gjithë bashkë”, ka deklaruar Pablo Zabaleta./Sport Ekspres/