“Muçi dhe Mehmeti janë lojtarë që të japin fitoren”, Vasil Ruci: Të marrësh lojtarë nga pushimi dhe t’i futësh në një ndeshje të tillë…

Vasil Ruci ishte pjesë e emisionit “Mega Sport” në “A2 CNN Albania” përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë. Legjenda e futbollit shqiptar ka dhënë mendimin e tij për mënyrën se si duhen përzgjedhur lojtarët për sfidën “play off” kundër Polonisë. Ish-futbollisti i Flamurtarit është shprehur se Muçi dhe Mehmeti janë futbollistë që mund të sjellin fitoren me aftësitë e tyre. Sipas tij, Silvinjo duhet të zgjedhë lojtarët që janë më në formë aktualisht dhe jo ata të cilët kanë luajtur më tepër me Kombëtaren, por aktualisht nuk marrin minuta në klubet e tyre.

“Kemi folur edhe herë tjetër, jo vetëm për Muçin, por edhe për atë djalin që luan në Angli. Janë lojtarë që i plotësojnë kushtet plotësisht që jo vetëm të arrijnë të luajnë në formacion, por edhe të arrijnë të fitojnë ndeshjen. Ka një dilemë trajneri. Ka lojtarë që nuk kanë luajtur me Kombëtaren, por luajnë sot dhe janë protagonistë. Por ka edhe lojtarë që kanë luajtur me Kombëtaren, por nuk po luajnë me fanellat e ekipeve të tyre. Kjo është një dilemë e madhe. Përzgjedhja më e mirë sot janë lojtarët që janë në top formë në kampionatet e tyre dhe që shënojnë. Të marrësh lojtarë nga pushimi dhe t’i futësh në një ndeshje të tillë, për mua është një sakrificë e madhe”, është shprehur Vasil Ruci./Sport Ekspres/