“Shqipëria fitoi një ndeshje prestigjoze ndaj Serbisë, dinë të bëjnë surpriza”, trajneri i Polonisë: Është ndeshja më e rëndësishme e jetës sime

Mbrëmjen e nesërme, duke nisur nga ora 20:45, në stadiumin “PGE Narodovi” do të luhet gjysmëfinalja e “play off”-it për Kupën e Botës mes Polonisë dhe Shqipërisë. Trajneri i Kombëtares polake ka vlerësuar së tepërmi kuqezinjtë gjatë konferencës për shtyp. Ai e cilëson Shqipërinë si një ekip që di si të të befasojë, ndërsa shton se nesër parashikon një lojë të hapur.

“Ata fituan ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër Ukrainës, si dhe një ndeshje të rëndësishme dhe mjaft prestigjoze kundër Serbisë. Sipas mendimit tim, ata performuan shkëlqyeshëm në Kampionatin Europian. Humbën 0-1 ndaj Spanjës, 1-2 ndaj Italisë dhe barazuan 2-2 me Kroacinë. Kjo dëshmon se është një ekip i aftë që të shkaktojë surpriza. Shpresoj që të mos e bëjë nesër.

Kjo është ndeshja më e rëndësishme e jetës sime. Pres një ndeshje mjaft të hapur. Edhe pse Shqipëria është një ekip i përqendruar në mbrojtje, ata janë të vetëdijshëm se këtu duhet të mbarojë loja. Na kanë krijuar shumë probleme në çdo ndeshje. Është një skuadër me formacion të qendrueshëm, pasi ka punuar me të njëjtin trajner për 3 vite. Janë shumë të organizuar dhe po përpiqen të maksimizojnë pikat e tyre të forta. Do të doja që ne ta kontrollonim ndeshjen, por nuk e dimë se si do të sillet skuadra shqiptare. Do të përpiqemi të luajmë në një mënyrë që i bën ata të sillen ashtu siç duam ne. A do ta arrijmë këtë? Do ta zbulojmë nesër”, ka deklaruar Jan Urbani./Sport Ekspres/