Mbrëmjen e së dielës “Fadil Vokrri” do të hapë dyert për ndeshjen më të rëndësishme të Kosovës. Dardanët do të përballen me Turqinë në finalen e “play off”-it të Kupës së Botës 2026. Sigurisht që mbështetja e tifozëve do të jetë një faktor mjaft thelbësor për arritjen e një suksesi historik për Kosovën. Ndërkohë tashmë kanë lindur diskutime nëse duhet ftuar grupimi “TKZ” në këtë përballje. Trajneri Fatmir Zhdrella ka thënë për “Kanal 10” se është kundër pranisë së “Tifozëve Kuq e Zi” në “Fadil Vokrri”. Sipas tij në stadium duhen tifozë që përkrahin dhe jo që shkaktojnë probleme, megjithëse në historikun e tij grupimi “TKZ” nuk ka shfaqur asnjëherë problematika në çdo vend ku ka qenë i pranishëm.
“Nuk do t’i kisha ftuar për një arsye. Shumë shpesh tifozët kanë ditur që, ndoshta nga entuziasmi i tyre i tepruar, të shkaktojnë më shumë dëme se sa dobi. Ne kemi nevojë për tifozë që përkrahin dhe jo që bëjnë probleme. Tani çdo gjë shihet me lupë dhe ne nuk kemi lluksin të kemi tifozë me probleme. Prandaj këtu nuk e shoh që duhet të vijnë tifozë të organizuar. Tifozë të organizuar janë vetëm “Dardanët”. Të tjetër duhet të jenë tifozë që vetëm e përkrahin me zemër, por jo kush e bën ndonjë gjest të pahijshëm”, ka deklaruar Fatmir Zhdrella./Sport Ekspres/