Juventusi mposht Xhenoan dhe vazhdon luftën për Ligën e Kampionëve, Zhegrova harron ndjesinë e fushës

Juventusi ka mposhtur Xhenoan me rezultatin 2-0. Bardhezinjtë janë rikthyer me fitore pas ndërprerjes së kampionateve për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve. Bremeri tundi rrjetën që në minutën e 4-t të lojës, ndërsa në të 17-n Mekeni dyfishoi shifrat.

Xhenoa kishte mundësinë të rihapte lojën në minutën e 74-t. Skuadra italiane fitoi të drejtën e një 11 metërshi, por Di Gregorio fitoi duelin me lojtarin kundërshtar, duke e pritur me sukses gjuajtjen e tij. As në këtë ndeshje nuk pati minuta për Edon Zhegrovën, i cili te Juventusi duket se po harron ndjesinë e të shkelurit në fushën e blertë. Pas kësaj fitoreje Juventusi shkon në kuotën e 57 pikëve dhe vijon luftën për të zënë një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Vendi i 4-t mbetet vetëm një pikë larg./Sport Ekspres/