Nga Gerti Carcani
Të përdorësh dhe të shërbejë futbolli si një pikë referimi për imazhin turistik shqiptar është, natyrisht, diçka pozitive. Por, ta marketosh politikisht këtë fakt, duke vepruar dhe folur me një standard tjetër, atëherë natyrisht që nuk je më i vërtetë, e as dinjitoz. Me pak fjalë: kur futbolli kërkon vëmendje dhe pak mbështetje, ti i përgjigjesh me akt normativ për padelin (2.2 milionë euro direkt për 6 ditë sallore tenisi në shesh); e kur futbolli të duhet, e vë menjëherë si fasadë përpara, si koperturë për para publike në drejtim të një koncerti, kostoja e të cilit së fundmi ka nxjerrë në pah edhe mungesën e transparencës.
Ky konstatim vjen direkt, e jo më larg se dje, nga kryeministri në detyrë, z. Rama, në lidhje me argumentimin tejet të gjatë për paratë publike në mbështetje të koncertit të Kanye ëest. Përdorja me një standard tërësisht dinak e finales së Conference League, të cilën UEFA ia besoi Shqipërisë dhe FSHF-së pak vite më parë, të bën të besosh që tashmë Rama përdor kartën e futbollit për një koncert.
Një pyetje e thjeshtë, pa asnjë lloj nënkuptimi apo mbikuptimi: Sa buxhet alokoi shteti shqiptar për atë finale europiane në Tiranë, në nxitje, impaktim e shërbim të turizmit shqiptar? Zero cent! Për koncertin në fjalë u dhanë me shpejtësi 4 milionë euro para publike, apo akoma më tej, muaj më parë, 2.2 milionë euro për padelin (akt normativ i mbrojtur nga deputeti Klosi në parlament, njëherësh edhe sportist pasionant e medalist i padelit). E nëse do të vinim në balancë dhe peshë impaktimin mes dy eventeve, natyrisht që qasja në 3 orë koncert përballë finales me 3 ditë pikë referimi europiane ka algoritme të frikshme në raport me atë që futbolli prodhon si marketim turistik në vitrinën europiane. Një rast i tillë natyrisht që përdoret keq, abuzivisht nga ana e Edit në diskursin e një koncerti, për të cilin është angazhuar një shtet i tërë për të shitur bileta, përtej fondit bazik të akorduar me akt normativ.
Pra, mes një finaleje historike (e para e atij kompeticioni) dhe një koncerti rutinë, Rama vë përballë publikut dhe në shërbim të ndërgjegjes së tij turizmin, duke zgjedhur standarde të ndryshme operimi me paranë publike. Natyrisht, konstatimi dhe transmetimi në publik do të kishin tërësisht tjetër vlerë, peshë dhe sinqeritet lidershipi, nëse publikut do t’i sillej në vëmendje nga vetë kryeministri ynë: “O popull, ne na erdhi një finale e madhe në Tiranë, na shërbeu, dhe më shërbeu maksimalisht si event, por ne si shtet, dhe unë në atë kohë, nuk patëm mundësinë t’i akordonim qoftë edhe një cent institucionit bashkëorganizator në Tiranë.” Këtu, i dashur Edi, do të kishte shumë më tepër vlerë e vërtetësi paralelizmi që memoria juaj risolli në vëmendje finalen e një kompeticioni europian futbolli. Shtuar faktin që asokohe disa kushte që shteti nuk i plotësonte ende maksimalisht janë “gëlltitur” dhe eventi iu besua Tiranës, ku kryeqyteti, e ju bashkë me të, morët mbrapsht benefitin turistik, politik, personal e institucional. Kjo është e vërteta kokëfortë për ujërat e turbullta të protestës mbi koncertin e Kanye ëest.
E megjithatë, kohë e vend për korrigjim me futbollin ka dhe do të ketë përherë. Sikundër shteti nxori direkt 2.2 milionë euro nga buxheti për t’i çuar në një llogari jashtë Shqipërie, për të sjellë këtu ca padelistë që u dëfryen para zyrës bosh të kryetarit të Bashkisë, edhe alokimi i fondeve për finalet e Europianit U-21, që kemi në prag, do të ishte një gjë e domosdoshme për të kuptuar e besuar që imazhin që na prodhon futbolli realisht e duam, jo vetëm e përdorim sipas rrethanave të momentit. Do të kemi një Europian së bashku me Serbinë, me finale në Tiranë, me praninë, besoj, edhe të kryeministrit në stadium. E nëse i japim Kanye ëest 4 milionë euro para publike, hidhini pak sytë edhe këndej nga motorët e rëndë që prodhojnë dhe impaktojnë shifra turistike dhjetëra e qindra herë më shumë, që janë motorët e futbollit. Dhe këtë gjë, shef Edi e di fare mirë. Thjesht kërkon të zbavitet pak, duke abuzuar jo pak, por me shpresën që në fund e ka kuptuar që këtë radhë futbolli iu desh si një avokat i zoti. /Sport Ekspres/