Askush nuk e ndalon dot Francën e Deschamps, eleminon Marokun dhe prek gjysmëfinalen e Botërorit

Franca ka konfirmuar statusin e një prej favoriteve kryesore për fitimin e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Marokun me rezultatin 2-0 në çerekfinale, duke siguruar një vend në katërshen më të mirë të turneut. Skuadra e Didier Deschamps hasi rezistencë të fortë nga afrikanët në pjesën e parë, por diferenca në cilësi u pa qartë pas pushimit.

Heroi i mbrëmjes ishte Kylian Mbappe, i cili zhbllokoi sfidën në minutën e 60-të me një goditje të saktë, duke lënë pas një pjesë të parë ku kishte humbur edhe një penallti. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Ousmane Dembele vulosi kualifikimin e “Gjelave” me një gol të bukur nga distanca, pas një aksioni të ndërtuar nga Mbappe.

Maroku provoi të reagojë, por nuk arriti të krijojë raste të pastra përballë mbrojtjes franceze, duke i dhënë fund ëndrrës për një tjetër arritje historike në Kupën e Botës. Portieri Yassine Bounou ishte ndër më të mirët e ekipit afrikan, duke pritur edhe penalltinë e Mbappes dhe duke shmangur një humbje më të thellë.

Me këtë fitore, Franca siguron pjesëmarrjen në gjysmëfinale për herë të tretë radhazi në një Kampionat Botëror dhe do të përballet me fituesin e duelit mes Spanjës dhe Belgjikës. Kampionët e botës vazhdojnë të tregojnë se mbeten një nga pretendentët më seriozë për të ngritur sërish trofeun më të rëndësishëm në futbollin botëror. /Sport Ekspres/