Zvicra u eliminua nga Kupa e Botës pasi u mposht nga Argjentina me rezultatin 3:1 pas kohës shtesë, në një ndeshje që u shoqërua me polemika të mëdha për arbitrimin e portugezit Joao Pinheiro. Momenti më i diskutuar ndodhi në minutën e 72-të, kur sulmuesi zviceran Breel Embolo u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për simulim, pasi arbitri ndryshoi vendimin pas një rishikimi nga VAR-i. Edhe pse sipas rregullave të reja një ndërhyrje e tillë konsiderohet e lejueshme, kampi zviceran e cilësoi vendimin si vendimtar për fatin e sfidës. Kapiteni me origjinë shqiptare, Granit Xhaka, nuk i kurseu kritikat ndaj arbitrimit pas përfundimit të takimit.
“Nuk mund ta ndryshojmë rregullin, por ky vendim e vrau lojën. Mos e vrisni futbollin në atë mënyrë. I kishim në duar 11 kundër 11. Kam vite që merrem me futboll dhe nuk e kam parë kurrë VAR-in të ndërhyjë për shkak të simulimit vetëm për t’i dhënë një lojtari kartonin e dytë të verdhë. I njëjti VAR nuk ndërhyri gjatë ndeshjes kur futbollistët argjentinas na fauluan. Sonte, gjyqtari u sigurua që ata të kishin çdo avantazh të mundshëm. Ne erdhëm për të luajtur futboll, por jo kundër gjyqtarëve”, deklaroi Xhaka.
Edhe mesfushori Remo Freuler ishte i zhgënjyer nga vendimi i arbitrit, duke e cilësuar atë si pikën e kthesës së takimit. “Kjo është një katastrofë. Nuk e di se çfarë po bënte gjyqtari në këtë situatë. Nuk e kuptoj se si VAR mund ta ndryshojë lojën”, u shpreh Freuler. Pavarësisht protestave të zviceranëve, vendimi mbeti në fuqi dhe Argjentina përfitoi nga epërsia numerike për të siguruar kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Botës, ndërsa deklaratat e Xhakës pritet të nxisin debat të madh në botën e futbollit. /Sport Ekspres/