José Mourinho ka rikthyer edhe një herë rivalitetin e tij të famshëm me Pep Guardiolën, këtë herë duke komentuar vendimin e trajnerit spanjoll për të marrë një periudhë pushimi nga futbolli. Në dokumentarin e Netflix kushtuar karrierës së tij, Mourinho u pyet për idenë e një trajneri që vendos të largohet përkohësisht nga futbolli. Për portugezin, një pushim i tillë nuk është diçka që ai do ta bënte lehtësisht. “Për disa njerëz duhet pushim”, u shpreh fillimisht me ironi Mourinho, përpara se të bëhej më i drejtpërdrejtë. “Për mua, pushimi është shenjë dobësie, diçka që e urrej. E urrej këtë fjalë. Prandaj, mos më fol më për këtë”, deklaroi ai.
Fjalët e tij janë interpretuar si një tjetër thumbim ndaj Guardiolës, i cili pas largimit nga Barcelona në vitin 2012 qëndroi për një vit jashtë futbollit. Aktualisht, spanjolli po kalon sërish një periudhë pushimi pas një dekade në drejtimin e Manchester Cityt. Në të kundërt, Mourinho theksoi se nuk e imagjinon dot jetën pa futbollin. Trajneri portugez, i cili dëshiron të vazhdojë të punojë edhe për shumë vite, tha se synon të fitojë ende trofe dhe se stadiumet me mijëra tifozë janë pjesë e pandashme e jetës së tij. Rivaliteti Mourinho-Guardiola, i nisur që nga përballjet e tyre në Spanjë, vazhdon të prodhojë deklarata të forta edhe shumë vite më vonë. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/