Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur për disa çështje të rëndësishme që lidhen me Kombëtaren shqiptare, gjatë një interviste në televizionin Klan. Në fokus kanë qenë Armando Broja dhe mundësia e afrimit të portierit Elia Caprile me kuqezinjtë.
Duka ka shprehur besimin se Broja do të rikthehet të jetë një element i rëndësishëm për Shqipërinë, pavarësisht vështirësive që ka kaluar dhe mungesës së vazhdimësisë për shkak të dëmtimeve. Ai e cilësoi sulmuesin si një prej talenteve më të mëdha në historinë e Kombëtares, duke theksuar se Shqipëria ende nuk ka arritur të përfitojë plotësisht nga potenciali i tij.
“Zgjedhjet e trajnerit janë subjektive, ai merr ata që mendon se është zgjedhja më e mirë. Ai mund të donte më shumë, por këto janë rregullat e futbollit. Broja është një futbollist me talent dhe ka shumë për të dhënë. Jam i bindur që do të jetë pjesë e Kombëtares dhe do të ketë minutat e veta.
Të gjithë jemi me të njëjtin mendim që Broja është një nga më të talentuarit në histori të Kombëtares, por ende nuk e kemi marrë këtë talent. Dëmtimet nuk e kanë lënë që të jetë në formën e tij më të mirë. Jam i sigurt që do na ndihmojë në të ardhmen. Caprile? Ka diçka të vërtetë. Ka marrë pasaportë, me objektivin për të qenë pjesë e Shqipërisë. Kjo është procedurë tani. Ka shumë kapacitet për Shqipërinë. Ka një lidhje me Shqipërinë. Nëse do e kemi në ekipin Kombëtar, do të jetë vlerë e shtuar”, tha Duka. /Sport Ekspres/