“Nëse ekipi luan siç duhet, mund të tregoj aftësitë e mia”, Jashari: E tregova se mund të luaj përkrahë Modriçit

Ardon Jashari ka dhënë një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, ku ka folur për përvojën e tij deri më tani me Milanin. Mesfushori shqiptar luajti gati 30 minuta përkrahë Modriçit në fushë në takimin e fundit miqësor dhe sipas tij u pa se mund të luajnë edhe së bashku e jo të jenë zëvendësues të njëri-tjetrit. Jashari ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e tij, ndërsa ka shtuar se nëse skuadra luan siç duhet, atëherë ai mund të tregojë cilësitë e tij në fushë.

“Ky është vendimi i trajnerit, por të luash me Lukën është fantastike. Ai është një nga lojtarët më të mirë në botë dhe të ndash fushën me të është e pabesueshme. Luajtëm 30 minuta së bashku kundër Interit dhe mendoj se treguam se mund të luajmë përkrah njëri-tjetrit. Le të shohim se çfarë vendos trajneri, por unë nuk do të them jo për të luajtur me Lukën. Krejt e kundërta.

Ne e dimë se si trajneri dëshiron që ne të luajmë. Sigurisht, nuk mund ta zbatosh gjithçka në mënyrë të përsosur brenda natës, por ne po punojmë shumë që ta bëjmë të ndodhë. Nëse skuadra luan siç duhet, atëherë mund të tregoj cilësitë e mia në fushë. Jam i kënaqur me performancën time, megjithëse e di që ka ende disa gjëra që mund t’i përmirësoj për të arritur nivelin tim më të mirë”, ka deklaruar Ardon Jashari./Sport Ekspres/