“Dinamo luante me top nga mbrojtja në sulm”, trajneri i Pafos nxjerr vrerin: Na hoqën golin e pastër, e mbyllim punën në shtëpi

Trajneri i Pafos, Sa Pinto, tregoi një fytyrë aspak të bukur në ndeshjen e zhvilluar në Elbasan Arena. Portugezi ishte tejet provokues dhe nervat nuk e mbajtën duke pasur edhe një përplasje me stolin e Dinamos. Nisur nga kjo sjellje e tij, trajneri Ilir Daja zgjodhi që të mos i jepte dorën pas barazimit 1-1 me Dinamon. Menjëherë pas takimit, trajneri i Pafos, Sa Pinto, ka treguar një panoramë tjetër ndeshje duke thënë se ekipi i tij e meritoi fitoren dhe iu mohua një gol i pastër. Gjithashtu ai shprehu sigurinë e madhe që do ta eleminonte Dinamon në ndeshjen e kthimit, ndërsa tregoi edhe gjendjen e David Luiz pas dëmtimit.

“Nuk jam i kënaqur, sepse e meritonim fitoren. Ata sigurisht që luajtën një ndeshje të mirë në pjesën e dytë dhe na ushtruan presion, por ne luajtëm një pjesë të parë shumë të mirë dhe humbëm disa raste. Kur shënuam, goli nuk u llogarit, gjë që mendoj se ishte e padrejtë. Në fund, morëm më të paktën që mund të merrnim, një barazim. Ata janë një ekip që mund të mos ketë të njëjtën cilësi, por kanë pasion dhe vrapim. Tani i kemi në shtëpi dhe duam ta përfundojmë punën.

Humbëm golin e pastër. Ata janë një ekip me pasion, vrapojnë dhe bëjnë shumë presion. E dinim këtë dhe e dinim se nuk është e lehtë të luash këtu. Gjithashtu e dinim se ata ndryshojnë sistemet. E bënë në pjesën e dytë dhe na u desh të përshtateshim edhe ne. Kur gjetëm zgjidhjet, arritëm të barazonim. Nuk ishte një ndeshje e lehtë dhe as ajo tjetër nuk do të jetë. Duam të luajmë lojën tonë, por duhet të përfundojmë fazat tona.

Fusha nuk na ndihmoi dhe me kalimin e kohës u përkeqësua. Ata po përpiqeshin të gjenin sulmuesit e tyre me topa nga mbrojtja. Megjithatë, kjo nuk është justifikim. Këto janë pjesë të lojës në të cilat duhet të punojmë dhe të përmirësohemi. Për zëvendësimin e David Luiz në pjesën e parë: “Ai donte të vazhdonte. Por si masë paraprake, i thashë të qëndronte jashtë, sepse mendova se mund ta humbisnim për një kohë të gjatë. Ai është një futbollist i jashtëzakonshëm, është kapiteni i ekipit, të gjithë e dimë se çfarë jep”, tha Sa Pinto. /Sport Ekspres/