“Nuk kam më asgjë për të dhënë”, Mesi dorëhiqet nga Argjentina: Ju dhamë çaste që dikur i ëndërronim, largohem me paqe dhe krenari

Lionel Mesi i ka dhënë sot lamtumirën ekipit kombëtar. Ish-lojtari i Barcelonës ka komunikuar vendimin e tij përmes një postimi në kanalet e tij zyrtare në rrjetet sociale. Mesi ka shpjeguar se vendosi të largohej nga Kombëtarja pas finales së Kupës së Botës, ndërsa ndarja nga jeta e babait të tij ia përforcoi edhe më shumë këtë vendim.

“I shkrova këto fjalë më 21 korrik, dy ditë pas finales… sot, pas asaj që ndodhi me babanë tim, jam edhe më i bindur për këtë vendim se më parë. Pas gjithë kësaj kohe që nga finalja, dhe pasi e kam menduar shumë, dua t’u them të gjithëve se po tërhiqem nga ekipi kombëtar.

Ishte një vendim që më dhembi dhe ende më dhemb thellë brenda, por e kuptoj se ky është momenti i duhur. Betohem se gjithmonë kam dhënë gjithçka, jo vetëm në këto vitet e fundit kur fituam gjithçka, por edhe para kësaj. Gjithmonë kam luftuar dhe kam dhënë gjithçka për këtë fanellë, për t’ju sjellë lumturi dhe për t’ju bërë të ndiheni krenarë që jeni argjentinas përmes futbollit.

Nuk ka mbetur shumë kohë dhe kapitujve të ndryshëm po i vjen fundi. Ky është një që më dhemb shumë. E doja, e dua dhe do ta dua gjithmonë të jem pjesë e ekipit kombëtar. Dhashë gjithçka që kisha dhe nuk kam asgjë më shumë për të dhënë. Gjithashtu, ka lojtarë të rinj të shkëlqyer që po dalin dhe meritojnë të jenë këtu.

Faleminderit për gjithë dashurinë gjatë këtyre 20 viteve. Do të më mungojë t’ju dëgjoj nga brenda. Tani do të jem një nga ju, gjithmonë duke ju mbështetur nga jashtë, në kohë të mira dhe akoma më shumë në kohë të këqija.

Faleminderit familjes sime që ishte gjithmonë aty dhe që ishte me mua gjatë gjithë këtij udhëtimi të bukur, por të vështirë. Faleminderit çdo trajneri, shoku skuadreje dhe drejtori me të cilin pata mundësinë ta ndaja përvojën. Marr me vete kujtime dhe momente të paharrueshme.

Po largohem me paqe dhe krenari, duke e ditur se së bashku me shokët e mi të skuadrës ju dhamë momente që dikur i ëndërronim. Ishte çmenduri të përjetoja të gjitha këto me ju. Ju dua! Faleminderit Zot që më bëre argjentinas”, ka njofuar Lionel Mesi./Sport Ekspres/

“Vamos Argentina!