“Futbolli në Angli ishte sporti i alabakëve”, Gjergji Stefa tregon shembullin si rritet interesi i tifozëve në stadium

Emisioni “Mega Sport”, që transmetohet në “A2 CNN” dhe moderohet nga Altin Sulçe, ngriti siparin mbrëmjen e djeshme. Sigurisht që kampionati shqiptar dhe rënia e numrit të tifozëve në stadium ishin çështje diskutimi mes të ftuarve në studio. Gjergji Stefa ka dhënë një shembull për rritjen e interesit ndaj futbollit. Bëhet fjalë për strategjinë e Anglisë, e cila largoi huliganët dhe rriti interesin te tifozët.

“Ka dy shembuj se si rritet interesi. Anglia në vitin ’93. Anglia ishte “për faqe të zezë”. Futbolli ishte sporti i alabakëve. Në stadiume shkonin vetëm njerëz problematikë deri në fundin e viteve 80. Aq sa klubet angleze ishin të dënuara për vite të tëra për të mos marrë pjesë në Kupat e Europës. Si e edukuan ata tifozin? Ata bënë tre gjëra. E para, e futën futbollin edhe në gjërat sportive. Nëse marrim një paralelizëm: e futën në emisionet e mëngjesit, në emisionet e drekës, në “Big Brother”, e futën edhe në gazetat josportive. Pra, e bënë sportin një gjë më popullore. Nuk e izoluan sportin, siç e kanë izoluar këtu. E dyta, ribënë stadiumet nga e para dhe rritën çmimet e biletave për të afruar njerëz me një cilësi më të lartë në stadium. Dhe e treta, e bënë atë ndërkombëtar”, ka thënë Gjergji Stefa./Sport Ekspres/