Tirana nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 ndaj Skënderbeut në Korçë, në sfidën hapëse të javës së katërt të Abissnet Superiore. Një ndeshje me shumë episode, gola dhe polemika, që në fund la të dyja skuadrat me nga një pikë.
Bardheblutë e nisën më mirë takimin dhe kaluan në avantazh në minutën e 18-të. Basilio Ndong përfitoi nga një aksion i mirë i Tiranës dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë skuadrës së Dean Klafuriç epërsinë.
Më herët, në minutën e katërt, Tirana fitoi një penallti, por pas rishikimit në VAR arbitri Andi Koçi ndryshoi vendimin dhe sfida vazhdoi pa 11-metërsh.
Skënderbeu u rikthye fuqishëm në pjesën e dytë dhe në minutën e 73-të gjeti golin e barazimit me Musa. Korçarët patën më pas mundësi për të përmbysur rezultatin.
Në minutën e 82-të, Tirana mbeti me 10 lojtarë, pasi Colley u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së VAR-it. Pavarësisht inferioritetit numerik, bardheblutë rezistuan deri në fund. Në minutën e 89-të, Skënderbeu ishte pranë golit të fitores, por goditja e Bismark u ndal në shtyllë.
Në fund, 1-1. Tirana shkon në 4 pikë pas katër javësh, ndërsa Skënderbeu mbetet me 2 pikë në fund të tabelës. /Sport Ekspres/