4 gola dhe të gjitha në pjesën e parë, spektakël në Bylis-Pogradeci për vendet e para të renditjes

Bylis dhe Pogradeci kanë dhuruar një përballje spektakolare në javën e shtatë të Kategorisë së Parë, duke u ndarë në barazim 2-2 në stadiumin “Adush Muçaj” të Ballshit. Sfida mes dy skuadrave pretendente për kreun e renditjes prodhoi katër gola, të gjithë në pjesën e parë.

Vendasit e Bylisit kaluan në avantazh në minutën e 12-të me Nyanguila, por reagimi i Pogradecit ishte i menjëhershëm. Kazeem barazoi shifrat në minutën e 26-të, përpara se të godiste sërish në minutën e 42-të, duke përmbysur rezultatin në favor të liqenorëve.

Megjithatë, Bylisi nuk u dorëzua dhe gjeti golin e barazimit në limitet e pjesës së parë. Stoilov u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke vendosur rezultatin përfundimtar 2-2.

Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat u treguan më të kujdesshme dhe nuk arritën të shënonin golin e fitores. Kështu, Bylisi dhe Pogradeci ndanë nga një pikë në këtë duel të rëndësishëm për kreun.

Pas shtatë javësh, Pogradeci kryeson renditjen me 13 pikë, ndërsa Bylisi ngjitet në vendin e dytë me 11 pikë. Barazimi mban të hapur garën për kreun e Kategorisë së Parë, ku çdo pikë mund të rezultojë vendimtare në luftën për objektivat e sezonit. /Sport Ekspres/